Klaudio Çema është i fundit i futbollistëve që lënë Shqipërinë për të luajtur jashtë. Mbrojtësi 22-vjeçar është transferuar në Kroaci, duke u bashkuar me Luçkon, klub i divizionit të dytë aty, që prej vitesh luan në kategori dhe si synim parësor ka evidentimin e talenteve.
Trajner i Luçkos është Besnik Prenga, i ati i Herdi Prengës, i cili punon prej vitesh në Kroaci dhe është i specializuar sidomos në punën me të rinjtë. Çema e ka nisur karrierën si profesionist te Partizani, por në vitin 2015 luajti pak muaj tek Elbasani, para se të shkonte te Kukësi.
Mungesa e hapësirës aty e detyroi të luante disa muaj te Tërbuni në huazim, ndërsa sezonin e shkuar u kthye te Kukësi. Luajti pak në Superiore, por gjithsesi i është shënuar emri në listën e kampionëve. Tani Çema tenton të rritet jashtë Shqipërisë, duke e parë sa të vështirë e ka në Superiore, ku pakkush i pret të rinjtë të rriten.