Nuk ka paqe te Çelsi, sepse edhe fitorja e djeshme ndaj Mançester Junajtid nuk ka rikthyer tërësisht qetësinë dhe buzëqeshjen. Álvaro Morata i dha fitoren Çelsit, që ka reaguar mirëpas humbjes në Romë, por një lojtar kyç si David Luiz e ndoqi ndeshjen nga tribuna.
Sipas trajnerit Antonio Konte, mbrojtësi brazilian u la jashtë për shkak të formës së tij shumë të dobët, ndërkohë që zëvendësuesi i tij, danezi i ri Andreas Kristensen, u paraqit shkëlqyeshëm.
Konte mori në stol edhe mesfushorin 17-vjeçar Etan Ampadu, duke lënë jashtë David Luizin, i cili tashmë rrezikon largimin.
“Nuk e di a ka të ardhme David Luiz te Çelsi. Ai duhet të punojë shumë, përndryshe qëndron në stol ose tribunë. Trajneri vendos për të mirën e skuadrës dhe sot vendimi im ishte të luaja me Kristensen dhe të merrja në stol Ampadun, një tjetër lojtar i ri, me të tashme dhe të ardhme premtuese. Ndoshta në të ardhmen do të vendos ndryshe, ose do të vazhdoj kështu, është normale, nuk vendos vetëm për të mirën e një lojtari, por të gjithë skuadrës dhe klubit. Çdo lojtar do të ketë të njëjtin fat si Luiz, nëse nuk është në formë, është mëse normale”, tha Konte pas ndeshjes.