Shqipëria është larguar me humbje nga Praga. Kuqezinjtë janë mposhtur me rezultatin 2-0 nga Republika Çeke. Ndeshja u vendos nga Chory, i cili mban autorësinë e të dy golave, që u shënuan përkatësisht në minutën e 3-të dhe të 63-të të takimit. Pas përfundimit të ndeshjes, lojtarët dhe trajneri kanë dhënë përshtypjet e tyre të para për mikrofonin e “TV Klan”-it.
Silvinjo: “Kam parë një Republikë Çeke shumë të motivuar. Po e prisnin këtë ndeshje që prej një viti. Sulmuesi i tyre ka bërë një ndeshje shumë të mirë. Ka luajtur shumë topa. Ky është një nder, që sot të gjitha skuadra e studiojnë, por e studiojnë mirë Shqipërinë. Kemi një humbje dhe na vjen keq. Vura re se si ata po e festonin këtë fitore. Po festonin sikur kishim mundur Brazilin, Argjentinën, apo Gjermaninë. Por duhet të reflektojmë që të përmirësohemi në çdo ndeshje. I thashë lojtarëve në pushimin mes pjesëve se ata po bënin një lojë shumë të lodhshme. Por ai gol i dytë të çmend, të vret. Por duhet të shohim përpara në ndeshjen tjetër.
Fituam me Ukrainën dhe ishim të mirë. Humbëm me Gjeorgjinë dhe ishim dobët. Sot humbëm me Çekinë dhe nuk ekziston mbrojtja. Jo, nuk funksionon kështu. Ne jemi një skuadër e organizuar. Kemi lojtarë shumë të mirë. Është e vërtetë që kemi shumë për t’u përmirësuar, por gjithçka është e hapur”.
Daku: “Janë shumë të inatosur me ne, sepse vitin e kaluar nuk kanë arritur të na mposhtin. Për këtë arsye e dinim që na priste një terren i nxehtë. Ishin shumë të motivuar. Po të ishim më sy hapur do ta kalonim pa humbje këtë ndeshje. Po rritemi si skuadër. Nuk jemi një Kombëtare shkel e shko. Çdo Kombëtare na e ka frikën kur përballet me ne. Unë këtu nuk luaj për statistika. Këtu luaj për Kombëtaren dhe për të arritur te triumfi. Për mua nuk ka rëndësi nëse shënoj apo jo. Dua vetëm të iki përpara. Dëshira ime është vetëm të fitoj. Për statistikë mendoj vetëm te ekipi. Flamuri i serb për Kosoën? E kam parë dhe kam komunikuar me gjyqtarin. Por nuk kam marrë asnjë lloj reagimi për këtë gjë. Në Shqipëri marrin gjithmonë masa dhe i heqin. Por këtu nuk ndodhi asgjë. E drejta ime ishte vetëm t’i tregoja gjyqtarit të takimit, sepse nuk mund të vrapoj te zyrtarët e tjerë. I thashë që janë flamuj provokues dhe m’u përgjigj se kishte komunikuar me zyrtarët e tjerë. Por jemi shtet i vogël, nuk kemi çfarë të bëjmë”.
Bajrami: “E dinim që do ta fillonin shumë agresivë. E pësuam golin shumë shpejt. Pastaj e morëm pak lojën në dorë. Patëm një rast me mua dhe me Asllanin. Por pas dy ditësh kemi ndeshjen e dytë. Edhe Gjeorgjia humbi, kështu që jemi ende në garë. Na kanë bërë shumë presion. I kishim disa raste. Në pjesën e dytë pati rastin Asani. Por kështu është futbolli. Çekët nuk është se bënë ndonjë gjë më shumë se ne. Thjesht luanin me topa të gjatë. Pozicioni im i preferuar? Tani nuk mund të luash vetëm një pozicion. Duhet të bësh 3-4 pozicione. Por unë kam lindur si ‘10’-sh. Por luaj ku të më vendosë trajneri”.
Laçi: “Fillimi i keq na e prishi pak lojën që kishim planifikuar. E njihnim kundërshtarin. Ajo 1-0 na prishi pak lojën. Në pjesën e parë i kishim nja dy raste për t’i bërë disa gjëra më mirë. Goli nuk erdhi. Fat i keq. Ne e kishim planifikuar që të ishim më të gatshëm për topat e dytë. Por kemi humbur shumë topa të dytë në pjesën e parë. U munduam, por na ndikuan ato minutat e para. Ata nuk i kishin harruar ato dy ndeshjet e fundit me ne. U futën për ta mbaruar lojën sa më shpejt. Por ne duhet t’i kishim bërë më mirë ato që kishim planifikuar”.
Hysaj: “Edhe ne e dimin që i kishte mbetur pak në kokë ajo ndeshje me Shqipërinë dhe ishin më të motivuar. Në 15 minutat e para u treguan shumë të fortë. E dinim që ata ishin shumë të fortë në lojën në ajër. Edhe golat ashtu erdhën. Ne e kishim rastin, mund të kishim barazuar ose mund të kishim fituar. Por nuk e bëmë. Pastaj ata shënuan golin e dytë dhe aty na u prenë këmbët pastaj. Duhet ta rrisim vetëbesimin, sepse ne vërtetë kemi një skuadër të mirë. Çekia po luante sot sikur ne ishim Spanja. Në dy ndeshjet e kaluara kemi luajtur mirë. Mos të kalojmë direkt në këto momente sikur po na bie gjithçka poshtë. Duhet ta mbajmë këtë nivel ku kemi shkuar”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/