Çani / “Kontraktimi” që po zgjat pa fund,  lojtarëve iu “mbyllet” goja

Partizani dilte me një deklaratë që sulmuesi Edgar Çani do të ishte i gatshëm për pak ditë dhe do të kthehej me grupin. Sulmuesi ndryshe nga sa raportohej në medie, kishte vetëm një kontraktim të lehtë dhe asgjë serioze. Fjalët e dala nga goja e doktor Dhimosten Gjinit qetësonin tifozerinë e kuqe dhe se zakonisht nxirrnin “blof” mediet.
Fakti është tjetër. Sulmuesi ka të paktën 1 javë që nuk stërvitet me skuadrën e Partizanit, e nëse do të ishte vetëm një kontraktim i lehtë, ai do të ishte kthyer tashmë.

Fakti tjetër është se shtatlarti nuk ka bërë asnjë ditë stërvitje me ngarkesë të plotë te Partizani. Pista e kontraktimit bie shpejt poshtë në rastin e Çanit, pasi problemet e tij janë më madhore, pasi varet si ka qenë situata e tij në fazën e rikuperimit. Të kuqtë shpresojnë ta rikuperojnë shpejt, ashtu si të gjithë sportdashësit.

LOJTARËVE – Partizani është larg dhe prezenca mediatike mungon, kjo bën që të vetmet informacione të mbërritura të jenë nga zyra e shtypit e të kuqve, apo në rastin e miqësoreve nga mediet italiane. Kjo bën që edhe në klubin e kuq të hedhin “hi syve” në rastin e sulmuesit Edgar Çanit. Megjithatë, jo vetëm për medie ka qenë një situatë e tillë, pasi edhe lojtarëve u është thënë e njëjta gjë. Drejtuesit e kuq u kanë thënë futbollistëve që Çani ka vetëm një kontraktim duke dashur të “blejnë” edhe opinionin e tyre. Megjithatë, sipas burimeve të ndryshme pranë kampit të kuq bëhet me dije se sulmuesi i afruar në kampin e kuq e ka ende gjurin e ënjtur. Rikthimi në stërvitje duket akoma i largët. Duket e vështirë që Çani të jetë gati edhe për fillimin e kampionatit, pasi forma e tij fizike nuk premton shumë. Ai duhet të kapë ritmin e të tjerëve edhe kur të kthehet nga faza përgatitore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *