Briken Calja madhështor, nderon Shqipërinë plot halle në peshëngritje, sepse ka shkëlqyer në Eurpianin që po zhvillohet në Rumani, duke marrë 3 medalje ari.
Peshëngritësi shqiptar arriti të kalojë me sukses të tre provat dhe të ngrejë 146 kilogramë, duke zënë vendin e parë në peshën deri 69 kilogram në stilin e shkëputjes.
Po ashtu, Calja u rendit i pari edhe në stilin e shtytjes me 175 kilogramë, në provën e tretë të tij. Ndërkohë, peshëngritësi shqiptar ishte pa rivalë ne dygarësh me 321 kilogramë.
“Jam shumë i lumtur. Suksesin ia dedikoj familjes, miqve dhe gjithë shqiptarëve”, tha Calja pas garës.
Në të njëjtën kategori, peshëngritësi tjetër shqiptar, Arbër Çerçizi arriti të renditet vetëm në vendin e 7. Ky i fundit ngriti 135 kilogramë në provën e parë dhe dështoi në dy të tjerat, për të ngritur 141 dhe 142 kilogramë.
Një sukses madhështor për Shqipërinë, në një moment të zi për peshëngritjen, e mbytur nga dopingu dhe kaosi në drejtimin e Federatës. Meritë personale e Caljes, nuk duhet të mburret ndokush tani.
Nesër e ka radhën Daniel Godelli, ndoshta do të kemi fatin për një triumf tjetër të ngjyrave kuqezi.