Trajneri gjirokastrit: Do afrojmë lojtarë të talentuar. Me presidencën ndërtojmë një skuadër shembull në Shqipëri
Erjon Saliu
Bylisi dhe Bledar Devolli vazhdojnë bashkëpunimin edhe për sezonin e ardhshëm. Mallakastriotët janë në përpjekje për të ndërtuar skuadrën e sezonit të ardhshëm, duke nisur një projekt për një Bylis me talente dhe me lojtarë që kanë dëshirë të afirmohen, por edhe të disiplinuar. Presidenti Kapllanaj ka konfirmuar lajmin për “Sport Ekspres”, ndërsa trajneri Bledar Devolli i kontaktuar nga gazeta ka deklaruar: “Në radhë të parë falënderoj presidencën për besimin e dhënë dhe vazhdimin e projektit për rritjen e cilësisë së futbollit mallakastriot dhe atij shqiptar. Do të jetë një klub dhe skuadër shembull e mbi të gjitha me lojtarë të disiplinuar taktikisht dhe jo vetëm. Në Ballsh punohet shumë mirë e sidomos me të rinjtë dhe lojtarët që kanë dëshirë të bëjnë më të mirën e tyre. Natyrisht me mbështetjen e madhe të presidencës do të nisim një projekt dhe dëshira jonë është që të shfrytëzojmë edhe marketingun. Të hënën nisim punën dhe jam i bindur që do t’i japim bukuri Kategorisë së Parë. Presidenca më ka dhënë edhe besimin për të afruar disa lojtarë që do të mbajnë peshën kryesore. Natyrisht në Ballsh baza është ruajtur dhe unë i njoh lojtarët që skuadra ka në kontratë. Ka djem shumë të mirë dhe jam i bindur qe tifozët ballshiotë do të ndihen krenarë për skuadrën qe do të ndërtojmë sezonin e ardhshëm”.