Bylisi i Devollit, disiplinë dhe merkato me “silenciator”

Ja afrimet e para te ballshiotët. Në ditët në vijim të tjera miqësore

Erjon Saliu

Bylisi është një nga klubet që ka spikatur shpesh herë në merkato, duke afruar futbollistë të huaj shumë të talentuar, apo edhe duke “zbuluar” shqiptarë me mjaft cilësi. Madje, shpesh ballshiotët janë dalluar edhe për shitjen e lojtarëve, siç ka ndodhur me Piter Olainkan, nigeriani që bëri bujë në futbollin shqiptar, ku nga mallakastriotët u shit te Skënderbeu e tashmë spikat në Belgjikë. Apo dhe Polizoi Arbëri, kamerunasi Madjo, Frashëri, Idrizaj, Hoxhaj e shumë të tjerë. Pavarësisht se e ka rigjetur veten në Kategorinë e Parë, në Ballsh nuk dorëzohen nga synimi për të kapur sërish Superioren. Presidenti Kapllanaj ka dhënë dakordësinë për një merkato dinjitoze dhe në fakt nuk kanë munguar afrimet. Një futbollist që ka shkëlqyer në miqësore është Niko Zisi, i cili ka firmosur një kontratë 5-vjeçare me Bylisin apo dhe sulmuesi i ri Gëzim Hyska.

FIRMOS DORDEVIÇ – Për kuadratin e portës, “dorezat” vijnë nga Serbia, pasi kanë arritur marrëveshjen me Stefan Dordeviç, i datëlindjes 08.02.1994, i cili në sezonin e fundit ka qenë në Greqi me ekipin e Kozanit. Dje, në ambientet e hotel “Bylis”, në Tiranë, “gardiani” shtatlartë ka firmosur edhe është bërë zyrtarisht pjesë e ballshiotëve për sezonin e ri. Dordeviç, ka bërë një paraqitje mjaft të mirë në miqësoret e realizuara së fundmi. Një tjetër “goditje” është për krahun e majtë të mbrojtjes, ku kanë siguruar shërbimet e një kamerunasi, i cili ka qenë më parë edhe pjesë e U-23 të Kamerunit. Njëkohësisht, për prapavijën duhet theksuar edhe rikthimi i Mariglen Shoshit. Një skuadër e konsoliduar, e cila në miqësoret që ka zhvilluar deri më tani ka treguar stabilitet, madje edhe rritje të treguesve.

DEVOLLI – Një punë mjaft të mirë është duke bërë edhe trajneri Bledar Devolli, i cili ka arritur që të ndërtojë një ekip simpatik, por edhe duke gërshetuar elementin e ri të talentuar me ata me përvojë.  Serioziteti i Bylisit, duket edhe te baza materiale dhe ajo didaktike, në stërvitje, por edhe në miqësore, ku duket qartë puna profesionale që bëhet te Bylisi, prej më shumë se një dekadë. Ndonjëherë nuk vlen Superiorja, kur nuk ke as Këpucë apo fanella të luash apo dhe bazën materiale të mjaftueshme, siç ndodh rëndom me shumë skuadra. Në Ballsh është ndryshe…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *