Klubi ballshiot denoncon skandalin: Lojtari është në kontratë me ne, por ka dalë në stërvitje me kuksianët. Juristi i tyre po e mbron në gjyq, po fusin edhe njerëz në media për të na përbaltur, do i çojmë në FIFA!
Vesel Limaj, pak ditë më parë akuzonte klubin e Bylisit për kushte jo të mira, madje dhe për kushtet e kontratës dhe se i kishin premtuar se do të luante në Jordani! Ndërkohë, që vetë lojtari e ka nënshkruar me dorën e vetë kontratën me Bylisin në fillim të sezonit. Limaj, në fakt ankohej për kushtet në Ballsh dhe në Shqipëri, por ka rënë “brenda”, teksa këto ditë ka dalë në stërvitje me një tjetër klub shqiptar pa lejen e Bylisit. Ndërkohë, klubi i Bylisit pasi është njohur me pretendimet e pavërteta të lojtarit, e ka përgënjeshtruar edhe në faqen zyrtare duke thënë se Limaj është trajtuar si çdo lojtar tjetër dhe nuk i është bërë asnjë padrejtësi, përkundrazi është ndier i respektuar gjatë periudhës që ka qenë në Ballsh. Por, lojtari me kokën e vet ka shkelur kontratën dhe nuk ka dalë në stërvitje si tërë skuadra në fillim të këtij muaji kur edhe filluan përgatitjet për sezonin e ri! Drejtuesit e Bylisit këto ditë kanë verifikuar se lojtari ka dalë në stërvitje me Kukësin, duke qenë se është nën kontratë me Bylisin, njëkohësisht duke shkelur rregulloren e brendshme të klubit ballshiot. Por, edhe klubi kuksiane ashtu si dhe Limaj kanë bërë një skandal, pasi po mundohet që të joshë një futbollist që është nën kontratë me një ekip tjetër, madje për këtë Kukësi e di shumë mirë, pasi ka shfaqur interes për lojtarin Limaj edhe në periudha të ndryshme.
JURISTI I KUKËSIT – Por, klubi ballshiot ka bërë verifikim këto ditë, ku ka disponuar edhe foto të klubit kuksiane në faqen zyrtare dhe ku Vesel Limaj stërvitet me pjesën tjetër të skuadrës. Duket haptazi një shkelje e Limajt por edhe e klubit të Kukësit që ka pranuar dhe në mënyrë të kundërligjshme po përpiqet që të bëj të vetin një lojtar që është nën kontratë në një klub tjetër shqiptar! Jo vetëm kaq, por klubi i Bylisit ka edhe një prokurë të posaçme, ku juristi i skuadrës së Kukësit, Arsen Selmanaj, autorizohet nga Limaj që të mbrojë lojtarin në FSHF kundër Bylisit në gjyqin që është caktuar për zgjidhjen e kontratës mes mesfushorit dhe klubit ballshiot! Këtu duket akoma qartë skandali i Kukësit, që po josh Vesel Limajn në mënyrë të fshehtë por edhe “pakti” se si po punohet që lojtari t’i vidhet Bylisit në shkelje të hapur “ditën për diell”!
AVOKATI I BYLISIT – Ndërkohë, dje “Sport Ekspres”, ka kontaktuar edhe me avokatin e skuadrës së Bylisit, Edmond Selimi, i cili në prononcimin e tij tha se kemi të bëjmë me një shkelje të hapur të Vesel Limajt, por edhe klubit të Kukësit. Ndaj edhe do të bëhet gati dosja dhe Bylisi do t’i drejtohet FIFA-s. “Kërkojmë pezullimin e lojtarit, duke e paditur për shkak të thyerjes së disiplinës dhe shkelje të njëanshme të kontratës në organet kompetente gjyqësore të FSHF-së dhe FIFA-s. Jo vetëm kaq, por do të denoncojmë edhe padi ndaj klubit të Kukësit për shkak se është rast i përsëritur në dëm të Bylisit. Më parë janë përpjekur që të “vjedhin” edhe nigerianin Piter Olainka. Dosja po përpilohet me prova dhe fakte dhe do kërkohet ndëshkim maksimal”, – ka thënë avokati Edmond Selimi i klubit të Bylisit.