Buzëqesh Milani, ylli rikthehet për sfidën në Europa League

Fitorja me Sasuolon u cilësua një pikë kthese për Milanin. Kjo për faktin se pozitat e trajnerit Gatuzo ishin lëkundur, kuqezinjtë luanin përballë surprizës së këtij sezoni në Serinë A dhe skuadrës i mungonte ylli i sulmit, Gonzalo Higuain, duke e detyruar stafin teknik të përdorte Kastijeho si “nëntë false”.

Por, tashmë “El Pipita” është rikthyer dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen e dytë në fazën e grupeve të Europa League, ku “Djalli” do të luajë ndaj grekëve të Olimpiakos. Argjentinasi ka kaluar problemet muskulore dhe do të jetë në dispozicion të trajnerit Gatuzo për duelin e kësaj të enjteje.

Rikthimi i Higuain nuk pritet të shoqërohet me surpriza, me sulmuesin që pritet të rimarrë vendin e tij në repartin ofensiv, aty ku pritet të mbështetet nga Çalhanoglu dhe Kastijeho, me këtë të fundit që do të luajë në vend të Susos, i cili do të ketë mundësi të rikuperojë forcat.

Pushim për ndeshjen në Europa League pritet të qëndrojnë edhe Donaruma, Musakio dhe Kesie, të cilët do të zëvendësohen në fushë nga Reina, Zapata dhe Bakajoko. Mbrojtja do të plotësohet nga Kalabria, Romanjoli dhe Rodriguez, ndërsa në mesfushë pritet të ketë hapësirë edhe për Biljan dhe Bonaventurën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *