Buzëqesh Idrizi: Po shoh frymë të re te Flamurtari

 

Administratori i klubit vlonjat beson shumë për një sezon ndryshe: Nuk ka deklarata pompoze dhe çdo gjë më duket në rrugë të mbarë

Elton Nika

Fillimi i mbarë është gjysma e punës. Dhe këtë vit vërtet gjërat duken pozitive te Flamurtari. Edhe pse jashtë vendit, administratori i klubit vlonjat, Sinan Idrizi, e ka ndjekur me mjaft vëmendje fazën përgatitore të Flamurtarit, duke qenë në kontakt të vijueshëm si me drejtuesit e tjerë, ashtu edhe me stafin teknik, me trajnerin Duro. Idrizi pohon se gjatë fazës  përgatitore, që do të zhvillohet në Veria të Greqisë, do të jetë  pranë skuadrës dhe do të ndjekë edhe një ndeshje miqësore të Flamurtarit. “Në fakt, nuk kam qenë në Mavrovë dhe nuk e kam ndjekur nga afër skuadrën, – shprehet administratori Idrizi. – Por, vazhdon ai më tej, e kam marrë të gjithë informacionin e duhur mbi fazën përgatitore. Skuadra është rikthyer tashmë në Vlorë, ku do të plotësohet edhe me mbërritjen dy ditët e ardhshme të lojtarit nga Mali, Ibrahim Tungara, i cili do të kryejë fazën përgatitore në Greqi me grupin. Mund të them se bëhet fjalë për një investim të rëndësishëm, për një lojtar shumë të talentuar, që i afrohet Flamurtarit edhe për të ardhmen. Merkato? E kam thënë se jam për t’i plotësuar çdo dëshirë skuadrës dhe trajnerit, por është pranuar edhe nga vetë Duro se pak a shumë ky do të jetë Flamurtari. E kemi treguar se në merkato veprojmë vetëm në  bazë të asaj çfarë do skuadra dhe trajneri.”

RASTI ALVESH – Duke folur për merakton, numri 1 i klubit vlonjat veçoi një rast: “Dua të prek një çështje. Te Flamurtari u fol shumë rasti i Danilo Alveshit. Sot ai është pranë Flamurtarit, në bazë të kontratës që kishim nënshkruar. Nuk kishte asnjë dyshim për këtë fakt dhe e kam shprehur shumë herë, pavarësisht se nga  dikush u quajt i larguar. E thashë edhe atëherë se kush ka 500 mijë euro, bujrum, le të vijë. Por ne kishim një kontratë dhe ajo do të zbatohet, ndaj përpara se të flitet për raste të tilla, fillimisht duhet informacioni i duhur mbi lojtarët e Flamurtarit”.

VERIA – “Kur të jem pranë skuadrës? Nga fundi I javës do të jem në Vlorë dhe më pas do të ndjek edhe një ndeshje miqësore të skuadrës në fazën përgatitore në Veria të Greqisë. Por po shoh se këtë vit po ecin pozitivisht dhe natyrisht mund të them se fillimi I mbarë është gjysma e punës. Çdo vit e kemi nisur me optimizëm, duke deklaruar jo Kupat e Europës, jo pretendentë, por në fund kemi luftuar për tjetër gjë. Ndaj them se këtë vit gjërat duken ndryshe, më pozitive, nuk ka aq shumë deklarata të famshme të tipit Europë apo pretendentë. Duhet kuptuar se skuadra duhet të harrojë presionin, të luajë dhe të bëjë atë që di më mirë të bëjë. Do të ketë gjithmonë mbështetjen tonë dhe të tifozëve, pastaj të shohim. Por jam i mendimit se kemi nisur diçka ndryshe, ekipi është i ri, me lojtarë që duan të punojnë dhe kanë pranuar të luftojnë për objektivat e Flamurtarit, ndaj çdo gjë hap pas hapi. Fillimi duket i mirë, shpresojmë që kështu do të vijohet deri në fund, edhe pse edhe një herë tjetër më duhet të them se kam parë që gjërat këtë vit janë në rrugën e duhur. E kemi nisur me një tjetër frymë dhe shpresojmë të vazhdohet kështu”, – përfundon administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *