Buxheti për trajnerin 270 mijë euro, FSHF nuk “shqyen xhepat”

 

“Ai paguan minimumin e mundshëm, mundohet të japë minimumin. Në pikëpamjen ekonomike nuk flitet me Dukën Unë jam pa menaxher dhe negocioj vetë, por kur je aty që flet për para me Dukën, je kundërshtar, nuk je më mik”… Këto janë fjalët e Xhani de Biazit teksa fliste për Armand Dukën dhe bisedimet në lidhje me kontratën për stolin e Shqipërisë. Një vërtetësi e cila sa vjen e konfirmohet. Në fakt, sipas asaj që ka zbuluar “Sport Ekspres”, buxheti që kreu i futbollit tonë ka vendosur për trajnerin e ardhshëm, pa përfshirë stafin teknik, është thuajse 270 mijë euro. Duka do të bënte një përjashtim vetëm për një super trajner, duke prekur kuotën e 300 mijë eurove, por s’do të lëvizë nga ky tavan.

Telefoni i nxehtë – Që pas largimit të Xhani de Biazit, telefoni i Armand Dukës është bërë tepër i nxehtë dhe i është dashur ta karikojë edhe tri herë në ditë, pasi kanë qenë të shumta kontaktet dhe vetëkandidimet. Sigurisht, menaxherë të ndryshëm nga çdo “skuderi”, kanë provuar që të sugjerojnë një emër, që menjëherë është anashkaluar nga Duka. Nga Maxarri te Pilon, Kamoleze, Panuçi, Zenga, por edhe emra të tjerë, nga Berti Vogs, apo Erikson, ish-trajneri i Anglisë. Emra pas emrash, saqë kanë bezdisur jo pak Armand Dukën, që në shaka e sipër ka thënë “tani e duan të gjithë Shqipërinë, e çuditshme!”…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *