Tomisllav Bushiç shënoi golin vendimtar në fitoren e Flamurtarit ndaj Partizanit, sfidë e mbushur me polemika në fundin e takimit. Për kapitenin e Flamurtarit, pritja pa fund për një penallti duket se i ka bërë keq, aq sa e merr me humor faktin që gaboi fillimisht.
– Bushiç, pritët kaq muaj për një penallti dhe erdhi më në fund?
– Shumë i kënaqur me këtë penallti. Përsëri nuk shënova, gjithsesi. Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme dhe jam shumë i kënaqur për 3 pikët.
– Afrimet e reja, prisni më shumë tani e tutje?
– Po, kanë ardhur lojtarë cilësorë, por sot mungoi Muarem dhe mungesa e tij u ndje shumë. Në Turqi punuam shumë dhe u ambientua mirë, duke luajtur lojë të shpejtë e me top në tokë. Na prishi punë mungesa e tij.
– Titullin, e mendoni?
– Mendojmë Europën, ai është synimi kryesor. Sot humbi Skënderbeu, lajm i mirë për ne, por jemi ende larg. Mendojmë për ndeshjen e radhës dhe të shohim.
– A mendon se ishe më i miri në fushë?
– Jo, gjithë skuadra ishte në lartësinë e duhur.
– Penalltia, Partizani proteston shumë.
– Mendoj se penalltitë e padhëna, nga kroset, ishin penallti. Rasti kur Telushi ndal një kros me dorë për mua është penallti. Edhe rasti i Kotobellit për mua është penallti. Atanda? Shoh prekje me dorë, por ndoshta edhe me kokë. Është vendimi i arbitrit, nuk di ç’të them”.