Bushi i hedh fajin futbollit shqiptar, por a e di që Doka luan në Kategorinë e Parë?

Trajneri i Shpresave heq përgjegjësitë nga vetja dhe ia faturon një lojtari të ri me perspektivë që luan çdo fundjavë në një kampionat ku niveli është për të ardhur keq. Por, në Belfast gaboi një lojtar i Atletiko Madridit

“Mendoj se lojtarët tanë kanë mundësi, por kemi pak ditë që punojmë. Lojtarët e kampionatit tonë nuk janë mirë taktikisht, pavarësisht se mund të shënojnë, apo të ikin në një sprint. Kur vijnë këtu dhe u flet mësojnë, por në momente të caktuara ngelin prapa. Taktika mësohet që i vogël, jo t’i mësojmë këtu për pak ditë. Gjithsesi, kanë bërë përpara…”.

Trajneri i Shpresave, Alban Bushi ka shpërthyer kështu pas ndeshjes barazimit të Shqipërisë ndaj Irlandës së Veriut (kombëtarja që do të vinte për t’u mbrojtur, sipas trajnerit), duke akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë Albi Dokën, futbollistin e Tiranës, i cili ka vetëm një faj: që qëndroi te bardheblutë, edhe pse në Kategorinë e Parë. Dhe, nëse Bushi priste një zhvillim të rëndësishëm të mbrojtësit të talentuar Doka kundër Pogradecit, Naftëtarit, Shkumbinit, Turbinës, Tomorit dhe, së fundmi, Bylisit, atëherë ndoshta është jashtë shinave.

Doka është një futbollist premtues, me të ardhme, por e ardhmja e tij do të nisë ndoshta nga sezoni tjetër, kur sigurisht do të ketë të bëjë me një tjetër nivel. Dhe, nëse Kristian Panuçit i duhen dhjetë ndeshje të Lilaj për t’u siguruar që ta marrë, atëherë ndoshta kampionati shqiptar nuk prodhon asgjë. Por, nëse Superliga nuk prodhon, Kategoria e Parë është praktikisht një kampionat ku luhet sa për t’u luajtur. Fjala talent është e madhe dhe Albi Doka nuk mund të konsiderohet ende i tillë.

Stofën e ka, por ndoshta gabimet që bën janë edhe në sajë të kampionatit ku luan. Në formacionin kundër Irlandës së Veriut ishin edhe dy tjetër “produkte” shqiptare: portieri Selmani i Laçit (që e ka mbrojtur portën kuqezi nga pësimi i disa golave) dhe futbollisti i dalluar i Luftëtarit, Abazaj, që në Islandë i dha fitoren trajnerit të Shpresave, me një dopietë. Aty, taktika shqiptare funksionoi për bukuri…

Ndaj Irlandës së Veriut, që në minutat e fundit na ka marrë 4 pikë, ndoshta mungoi diçka tjetër: përqendrimi. Dhe, e kotë të themi që futbolli shqiptar e ka fajin kur në Belfast, lojtari i Atletiko Madridit, Kejdi Bare, shkaktoi penalltinë në sekondat e fundit të ndeshjes që po barazonim. Ndoshta, Simeone nga taktika merr shumë pak vesh, aq sa futbolli i tij mori një denominim “Cholismo”… Dhe, nëse pyesni në Spanjë, do t’iu thonë se edhe në gjumë, poshtë jastëkut, trajneri argjentinas mban shënime taktike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online