Shtohet numri i lojtarëve shqiptarë nga Maqedonia, të cilët janë në fokusin e Shqipërisë U21. Nga Maqedonia, portali shqiptar “infosport.mk” informon se trajneri Alban Bushi ka pikasur disa elementë të rinj që kërkon t’u japë mundësinë me fanellën kuqezi.
Duke qenë se veç Shqipërisë U21, ai drejton edhe atë U20, tashmë mundësia për të ftuar dhe parë më shumë lojtar është e madhe. Besir Ramadani i Shkupii, Omar Imeri dhe Arbin Zejnulai të Shkëndijës janë gati të luajnë me Shqipërinë.
Edhe Valon Hamdiu i Vintertur është në të njëjtën linjë me lojtarët e lartpërmendur. Tashmë në listë është shtuar edhe një sulmues. Bëhet fjalë për Erdon Dacin. Sulmuesi sezonin e shkuar është aktivizuar me 21-vjeçarët e Konjaspor dhe ka shënuar 10 gola në 20 ndeshje.
Momentalisht sulmuesi 20-vjeçar është huazuar tek Eskishehirspor, klub që garon në ligën e parë në Turqi. Aty do të ketë mundësinë të rritet, ndërkohë që edhe aktivizimi te Shqipëria U21 do të ishte një plus i madh. Ndërkohë mësohet se këtë javë ai nis procedurat për t’u pajisur me pasaportë shqiptare, për të mundësuar aktivizimin e tij me kuqezinjtë.