Burokracitë e detyruan të rinovonte me ekipin, zbulimi i Rejës e di që Torino nuk ka hequr dorë: Po diskutojnë për transferimin tim

Kevin Haveri ishte emri surprizë në listën e Edoardo Rejës në Kombëtaren shqiptare. Mbrojtësi fitoi Serinë D me Riminin dhe zgjoi interesin e Torinos. Marrëveshja ishte pranë, por burokracitë nuk e bënë dot të mundur për këtë vit. Sipas rregullores, një lojtar që nuk i përket Bashkimit Europian nuk mund të kalojë në një klub profesionist pa luajtur më parë me klubin aktual në Serinë C. Diçka e tillë do i mundësonte ndryshimin e statusit nga amator në profesionist.

Kështu Haveri ka firmosur rinovimin për tre vite me Riminin, por duket se kontratë nuk do të shkojë deri në fund. Torino nuk ka hequr dorë dhe pret deri vitin e ardhshëm për të siguruar kartonin e 21-vjeçarit shqiptar. Këtë gjë e di edhe vetë Haveri, i cili në një intervistë me “Corriere Romagna” pohon se klubet po diskutojnë për transferimin e tij. Megjithatë gjithçka do të varet edhe nga niveli që lojtari do të tregojë në Serinë C, në të cilën ai luan për të parën herë në karrierën e tij.

“Kishte një interes nga Torino dhe e di që klubet po diskutojnë transferimin tim te “granatat” (i cili do të bëhet në 2023-shin, në janar ose në qershor). Natyrisht që jam shumë i kënaqur, por tani jam në Rimini. Jam i lumtur këtu dhe po mendoj të paraqitem mirë me bardhekuqtë. Sigurisht që raste si ato të arritjes në Serie A nuk ndodhin shpesh dhe jam krenar”, ka thënë Kevin Haveri./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *