“Bundesliga ishte kulmi, kisha mundësinë të luaja në Serie A“, rrëfimi i Hykës: Brojën ta kemi pikë referimi, do arrijë lart! Ja pengu me De Biasin

0

Jahmir Hyka ishte surpriza e merkatos së janarit. Lojtari i Komëbtares shqiptare ka firmosur me Teutën dhe do të luajë për kampionët në fuqi të Superiores, kampionat në të cilin rikthehet pas 11 viteve. 33-vjeçari ka dhënë një intervistë të gjatë për gazetaren Enxhi Biba në “Sport News“ në “News 24“, ku rrëfyer shumëçka karrierën e tij në futboll. Nga kampionati shqiptar te pengjet e së shkuarës e deri te Kombëtarja, Hyka ka shumë për të thënë.

Kampionati shqiptar: “Gjithmonë e kam thënë që do të doja të rikthehesha edhe njëherë në Shqipëri. Nuk e di a është momenti i duhur. Nuk është se jam shumë i vjetër. Pas 11 vjetësh është një shkëputje e gjatë. Kontakte kam pasur gjithmonë, sepse unë jam shumë i lidhur me Shqipërinë. Kampionatin e kam ndjekur gjithmonë edhe arritjet që kanë arritur ekipet shqiptare, gjithashtu edhe kur ka pasur dështime. Vitet e fundit është bërë kampionat i bukur. Gjithmonë ka pasur rivalë, ka pasur konkurencë. Shpresoj që të vazhdojë kështu“.

Pendesa nga karriera: “Gjithmonë më mbrapa njeriu mund të mendojë diçka që mund ta kishte bërë ndryshe. Pishman nuk mund të them. Jam shumë i lumtur për karrierën që kam bërë. Mbase do shpresoja të kishte shkuar pak më ndryshe, për shembull në Gjermani. Kur ika mbase isha shumë i ri. Ose do kisha bërë gjërat ndryshe. Nuk e kisha kokën siç e kam tani. Futbolli i ka këto gjëra, nuk të shkon gjithmonë ashtu siç e planifikon. Por pishman nuk më ka mbetur asgjë. Jam shumë i lumtur për karrierën që kam bërë“.

Kulmi në karrierë: “Të kesh mundësi të luash në gjithë këto vende ka qenë një eksperiencë shumë e bukur. Përveç futbollit, kam njohur edhe shumë kultura të ndryshme. Kjo është diçka shumë e bukur. Kulmi në futboll ka qenë Bundesliga, po ta marrim nga ana profesionale. Nga anët e tjera kam kaluar shumë mirë në Zvicër. Kam qenë 6 vite në Zvicër dhe kam kaluar shumë mirë. Kam pasur shumë shoqëri, pasi ka pasur shumë shqiptarë të Kosovës që i kam akoma miq. Normalisht edhe Amerika, sepse e kam pasur ëndërr. Nuk e mendoj se mund të ndodhi përsëri. M’u dha mundësia të shkoj edhe në Kinë pas Amerikës, kështu që kishte ardhur momenti të rikthehesha përsëri në Shqipëri dhe besoj se ky është stacioni i fundit“.

Aventura në Kinë: “Në Kinë ishte diçka speciale më këtë situatën që ndodhi me Covid-in. Pasi qendrova dy javë vetëm i izoluar në hotel, sepse nuk na lejonin të dilnim fare, edhe kur dola jashtë duhet të rrinim përsëri të izoluar me ekipin. Kështu që kampionatin e kemi zhvilluar të izoluar në një kamp dhe ka qenë diçka speciale se nuk më kishte ndonjëherë tjetër. Kina është diçka ndryshe. Edhe për ushqimin ka qenë një problem tjetër. Më shumë kam ngrënë oriz, sepse ato të tjerat nuk ishin në gustot e tjera. Në Kinë dihet që të ardhurat janë më të mira dhe kjo gjë mbase më tërhoqi më shumë. Nuk mund ta mohoj“.

Feja: “Kam shumë vite që praktikoj fenë islame. Nuk ka qenë ndonjëherë problem për mua që të kem këtë lidhje mes fesë dhe sportit. Madje mund të them pa ndrojtje që feja më ka ndihmuar në karrierën time. Më ka mbajtur larg shumë veseve të këqija. Kështu që ka qenë një ndihmë e madhe“.

A më ka marrë malli për Kombëtaren? “Sigurisht që po. E kam nisur shumë i vogël me Kombëtaren. Ka qenë ëndrra ime, si e çdo futbollisti. Normalisht më mungon ajo ndjesia e të luajturit me Kombëtaren, por si çdo gjë edhe në futboll është me kohën. Kështu që duhet të pranoj realitetin. Bariç do ngelet në zemrën time sespe ishte i pari që ma dha mudësinë. Mbase e kam pak pikë të dobët. De Biasi ka arritur suksesin më të madh me ekipin kombëtar. Ajo ka qenë periudha që kam qenë në formën time më të mirë. Mbase ndikon pak edhe që nuk u grumbullova në Europian dhe nuk kam kujtime shumë të mira nga ajo periudhë“.

Kombëtarja: “Ka qenë një periudhë tranzicioni, sepse janë ndërruar shumë lojtarë. Kanë ardhur shumë lojtarë të rinj. Për momentin e shoh në ngritje. Kanë ardhur shumë lojtarë të rinj me kualitete shumë të mira dhe që luajnë me ekipe shumë të mira në Europë. Do bëhet një grup shumë i mirë, mbase edhe për të pretenduar për kompeticionet e mëdha“.

Serie A? “Normalisht që ka qenë një ëndërr e imja, sepse ne jemi rritur pak me atë frymën e kampionatit italian dhe me televizionet italiane. Ka qenë dikur mundësia, kur kam qenë diku te 20 vjeç. Por nuk u realizua atëherë. Mbase ka ndikuar pak puna e ekstrakomunitarit, pasi ne kemi qenë jashtë Europe dhe ka qenë më e vështirë për të luajtur në Itali në atë kohë“.

Broja: “E kam ndjekur. Është një talent shumë i madh. Ka cilësi të jashtëzakonshme. Nëqoftëse do të dijë ti shfrytëzojë dhe të rrijë me këmbë në tokë besoj se do arrijë shumë lart. Do jetë një plus për Kombëtaren tonë që të ketë një lojtar si ai në maksimumin e vetë. Me cilësitë që ka, sigurisht që aty duhet të jetë edhe përqendrimi jonë. Po ta shohësh të bësh diferencën në Premier League nuk është e lehtë. Duke e arritur këtë gjë në një moshë kaq të re siç po bën ai, normalisht që ne duhet ta kemi pikë referimi.”, ka deklaruar Jahmir Hyka./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.