Bullari, Vrioni dhe Tuci/ “Garda e vjetër” e Kombëtares ndien rrezikun, Shqipëria ka prurje si kurrë më parë në sulm

0

Nga Klaudio Ndreca

Kombëtarja e Shqipërisë ka vuajtur gjithmonë sa i përket sulmuesëve, duke mos pasur asnjëherë më tepër sesa dy ose tre zgjedhje në rastin më të mirë, për lojtarin që do ta niste si titullar. Por gjërat kanë ndryshuar rrënjësisht dhe si kurrë më parë kuqezinjtë kanë prurje me bollëk në këtë sektor.

Madje janë aq të shumtë në numër aqsa “garda e vjetër” ndien rrezikun për spostimin që mund të vijë, kjo edhe në bazë të performancave që janë duke bërë me klubet ku luajnë. Përjashtim ka për Armando Sadikun që po kalon një superformë te Malaga, ndërsa Bekim Balaj dhe Sokol Cikalleshi duhet të nxjerrin ende shumë nga vetja e tyre për të bindur Rejën.

Armando Broja dhe Florian Kamberi janë dy prej atyre sulmuesve që e kanë marrë menjëherë vëmendjen e trajnerit dhe besimi për t’i provuar në fushën e lojës nuk do të vonojë, për t’u përdorur si karta të para në mbështetjen e Sadikut. Listës i shtohet edhe Indrit Tuci, një super sulmues i ri dhe i kompletuar që po shkëlqen me Lokomotivën e Zagrebit, duke garantuar të ardhmen e madhe.

Për të vazhduar me Emiliano Bullarin, një tjetër element që po vëzhgohet me kujdes nga Shqipëria A. Kuqezinjtë mposhtën Greqinë në luftën për të marrë këtë sulmues, teksa si asnjëherë më parë në histori i besuan vendin një lojtari te Kombëtarja U-21, megjithëse ishte ende 17-vjeç. Bullari do ta shpërblente me golin kundër Turqisë U-21 në transfertë, ndërsa atje ishte edhe debutimi i tij me fanellën kuqezi.

Ndërkohë që nuk mund të harrohen lojtarë si Rei Manaj dhe Xhakomo Vrioni. Megjithëse nuk kemi dëgjuar ende asgjë për golat e tyre, por vetë fakti që janë stërvitur vazhdimisht me yjet e Barcelonës dhe Juventusit dhe duke marrë parasysh trajnerët dhe yjet që i kanë dhënë leksione, pritet një ndryshim kualitativ i tyre. /Sport Ekspres/

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.