Në Grupin A, java e 12-të ofron sfida të forta dhe interesante. Duke qenë se luhet faza e dytë, të gjitha skuadrat kërkojnë të grumbullojnë sa më shumë pikë, për të qenë pjesë e skuadrave të kreut të renditjes, që në fazën e tretë të luajnë për Play-off.
“Skuadra e Korabit kërkon që të renditet në pesë skuadrat e para të Grupit A, dhe ndeshjet e fazës së dytë, për të do të jenë si finale”, kështu deklaroi dje për Sportekspres.com trajneri i Korabit, Dorian Bubeqi, i cili tregohet i kënaqur me skuadrën me 11 javët e luajtura.
“Ne jemi brenda objektivit tonë, për të qenë në pesëshen e parë në grup. I kemi kaluar ndeshjet e vështira të transfertës, e tashmë mbetemi “besnikë” të fitoreve në fushën tonë”.
Në javën e 12-të Korabi pret në fushën e tij Shënkollin, dhe tekniku kavajas kërkon që skuadra e tij të mos gabojë në këtë sfidë ndaj një rivali të fortë për vendin e 5-të në grup. “Shënkolli është skuadër e fortë dhe e vështirë. Ne do të luajmë me vlerësim maksimal, të gabojmë sa më pak dhe ta parakalojmë në renditje”.