Dejvi Bregu po ndjek rrugën e Kristal Abazajt. Ashtu si sulmuesi i kombëtares, edhe Bregu u bë lojtar i Skënderbeut në ndërrimin e viteve, por nuk do të zbresë në fushë me fanellën e kampionëve të Shqipërisë. Marrëveshja ishte e tillë: Bregu transferohej te Skënderbeu në fund të sezonit, do të luante ndoshta në kupat e Europës, por gjithnjë do të ishte e hapur mundësia për t’u shitur.
Tashmë një pjesë e ekuacionit nuk ekziston më, sepse Skënderbeu nuk do të luajë në Europë. Kjo bën që Skënderbeu të ketë investuar më kot te blerja e Bregut dhe është i detyruar ta shesë, ndërkohë që edhe vetë dëshira e Bregut është të luajë jashtë Shqipërisë.
Nga Austria ka pasur interesim prej muajsh dhe ka qenë vetë Bregu që ka rezistuar, duke preferuar të mos largohej në mes të sezonit, por tashmë gjithçka është gati dhe pengesa e vetme është çmimi që mund të vendosë Skënderbeu. Gjithsesi, është e qartë që çmimi i Bregut nuk është i papërballueshëm, sepse Skënderbeu ka nevojë ta shesë.