Vllaznia do të përballet kundër Tiranës në ditën e nesërme dhe kjo ndeshje pritet me interes të madh. Bardheblutë do të luajnë kartën e fundit për të qenë ende në garën e titullit kampion, ndërsa nga krahu tjetër, shkodranët do të provojnë gjithçka pasi janë më afër se kurrë drejt kurorëzimit.
Por si e shikon Brdaric këtë ndeshje? Fillimisht trajneri i Vllaznisë ia ka kaluar presionin kundërshtarët dhe thekson se tifozët presin spektakël nga ky 90 minutësh që do të zhvillohet mes skuadrave.
“Kemi ardhur në një fazë finale të këtij kampionati dhe çdo ndeshje ka rëndësinë e vet. Nesër luajmë ndaj një ekipi që do të na mposhtë, i ka cilësitë dhe ne duhet të jemi gati dhe të përballojmë çdo situatë të krijuar.
Kampionati? Nuk është i çuditshëm, por është i fortë dhe me garë. Janë shumë ekipe që mund të mundin çdo skuadër. Duhet të jemi të përgatitur. E dimë si duhet të luajmë kundër Tiranës. Do të shkojmë të marrim 100 për qind të mundësive që do të na paraqiten.
Luajmë jashtë dhe presioni është te kundërshtari. Nesër të gjithë presin spektakël. Të dyja skuadrat kanë cilësi dhe do të kërkojnë t’i shfaqin dhe të luajnë futboll. Synimi është të shënojmë, por duhet edhe të mos pësojmë. Duhet të vazhdojmë me punën e mirë dhe nëse e bëjmë do të ruajmë pozitat tona. Kjo ndeshje kërkon përqendrim maksimal. Në fund do të shohim se çfarë do të na japë ndeshja. Tirana ka me shume presion se ne ngaqë luan në fushën e saj, megjithatë ne do të bëjmë punën tonë”, u shpreh Brdaric. /Sport Ekspres/