Brazili e nisi ngadalë Kupën e Botës, me një barazim ndaj Zvicrës dhe shumë vuajtje për të gjetur golin, por në ndeshjet pasuese është paraqitur shumë mirë, duke krijuar lojë e raste pa fund. Grupi nuk ishte me i vështiri i mundshmi, por Seleçao duket një kombëtare që mund ta fitojë Botërorin, duke parë që ka një ekip të kompletuar dhe me mbrojtje hermetike, përveç sulmit cilësor.
Në 1/8-at Brazili përballet me Meksikën, skuadër ende e padeshifrueshme, sepse e nisi shkëlqyeshem me fitoren ndaj Gjermanisë dhe më pas u duk se e siguroi kualifikimin, por në ndeshjen e fundit u shpartallua nga Suedia dhe u kualifikua vetëm falë ndihmës së Koresë së Jugut. Në ndeshjen e fundit u pa një Meksikë me shumë probleme dhe kundër Brazilit do të duhet një përmirësim gjigant për të befasuar.
Brazili nuk ka pësuar gol në 10 nga 13 ndeshjet e fundit mes kualifikueseve dhe Botërorit, ndërkohë që lojtarë si Kutinjo e Nejmar duken në formë spektakolare, ndaj Seleçao niset favorite, aq më shumë që në Kupën e Botës nuk është mundur kurrë nga një kombëtare e zonës Concacaf (Amerika e Veriut dhe Qendrore).
Duhet kujtuar se në 6 Botërorët e fundit Meksika nuk e ka kaluar kurrë turin e dytë në rastet kur nuk ka qenë vend organizator.
Për ndeshjen e sotme Brazili nuk ka të gatshëm mbrojtësin Marselo, i dëmtuar në ndeshjen kundër Serbisë, ndërsa Meksika është pa qendërmbrojtësin e pezulluar Hektor Moreno, i zëvendësuar nga Hugo Ajala, edhe ky mbrojtës me shumë eksperiencë ndërkombëtare. Këto janë ndryshime të detyruara, por Meksika bën edhe një ndryshim tjetër, sepse anësori ofensiv Lajun i lë vendin veteranit Rafael Markez, i cili do të luajë si mesfushor para mbrojtjes.
#BRAMEX // This is how they are shaping up in Samara…#WorldCup pic.twitter.com/LNwCYsrKTP
— FIFA World Cup ? (@FIFAWorldCup) July 2, 2018