Botërori 2023 / Curraj: Kundër Polonisë për rezultat pozitiv, rekord me Kombëtaren në këto kualifikuese

Kombëtarja shqiptare e femrave ka vijuar me përgatitjet dhe stërvitjet për dy sfidat ndaj Polonisë dhe Norvegjisë. Ditën e enjte, vajzat kuqezi do të përballen me Poloninë në stadiumin “Elbasan Arena”, teksa që prej të mërkurës së 24 gushtit, ato janë vënë nën urdhrat e trajnerit Armir Grima dhe stafit kuqezi.

Nga fusha e stërvitjes, Arbenita Curraj, mbrojtësja e talentuar e Kombëtares kuqezi ka folur në lidhje për këto ndeshje. Në një prononcim për fshf.org, ajo ka vlerësuar përgatitjet e ekipit, ndërsa tregon edhe gjendjen e saj fizike.

“Këto ditë kanë qënë shumë të mira në aspektin stërvitor. Janë bashkuar me grupin edhe tre vajzat e fundit. Kanë qënë stërvitje të mira dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu. Personalisht ndihem shumë mirë duke pasur parasysh që kemi pasur edhe ndeshjen në Champions League me Vllazninë, ku kemi marrë një rezultat shumë të mirë me një fitore të madhe. Duhet ta them se gjëndja ime fizike është shumë e mirë aktualisht dhe shpresoj të vazhdoj kështu edhe më tutje” – tregon ajo për fshf.org.

Sa i përket Kombëtares, Arbenita shprehet se ekipi ka ecur mjaft mirë deri tani, me rezultatin historik, duke grumbulluar 10 pikë për herë të parë në një grup eliminatoresh. “Besoj se ka qënë ecuria më e mirë që ka pasur ekipi Kombëtar deri më tani. Ne kemi arritur një rezultat historik duke siguruar 10 pikë në grup duke lënë pas Armeninë dhe Kosovën. Shpresoj të vazhdojmë kështu dhe të bëjmë paraqitje edhe më të mira sesa këto që kemi zhvilluar deri më tani” – vijon mbrojtësja kuqezi.

Mbrojtësja vlerëson kundërshtarët e radhës dhe shpreson që ekipi të marrë pikë edhe ndaj Polonisë. “Me Poloninë shpresoj që të marrim një rezultat të mirë duke parë që nuk ka diferenca shumë të mëdha ndërmjet nesh, edhe se në ndeshjen e fundit kemi pësuar një humbje por në shtëpi uroj të bëjmë shumë më mire” – përfundon Arbenita Curraj për fshf.org

Këto dy ndeshje kualifikuese ndaj Polonisë më 1 shtator në stadiumin “Elbasan Arena” dhe Norvegjisë më 6 shtator në transfertë janë të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror për femra “Australi – Zelandë e Re”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *