Botë “e çmendur”! Deri ku po shkon Koronavirusi, mund të falimentojnë disa ekipe në Angli

0

Deri tani është folur shumë për masat që kanë marrë kampionate dhe skuadra të ndryshme për të evituar Koronavirusin dhe shpërndarjen e tij, duke i vendosur “drynin” shumë stadiumeve. Humbje të mënjehershme financiare kanë pësuar skuadra të mëdha të Europës për shkak të biletave, por sigurisht që deri në këto momente që flasim, mbeten shifra të rikuperueshme për to.

E vetmja frikë dhe që askush nuk i jep përgjigje dot është sesa do të zgjasë kjo situatë. Ndërkohë në Angli kanë bërë një pasqyrim të situatës për ligat më të ulëta. Çfarë do të ndodhë me “League One” dhe “League Two” pasi bota është futur në këtë panik që nuk ka asnjë emërtim tjetër veçse “Koronavirus?”.

Flasim për një kampionat profesionistësh dhe ku gjejmë edhe disa emra të dëgjuar të klubeve angleze. Ndikimi po ndihet menjëherë dhe disa klube rrezikojnë seriozisht vazhdimësinë e tyre. Drejtori ekzekutiv i Portsmuth, Mark Catlin, është shprehur: “Ekzistojnë 5 ose 6 klube në League One” dhe “League Two” që janë tani në telashe. Ka ekipe që mbështeten vetëm në të ardhurat e ditës së ndeshjes për të paguar pagat e lojtarëve në fund të muajit”.

Këtu nuk duhet të harrojmë që Bury është përjashtuar në kohët e fundit nga futbolli anglez, megjithëse kishte 125 vite histori si skuadër, pikërisht për shkak të problemeve financiare. Pra teorikisht të gjitha ekipet që paguajnë lekët e lojtarëve duke u bazuar shumë te shitja e biletave, teksa në Angli ka shumë mbështetës edhe në nivele të ulëta, do të jenë në telashe shumë serioze aqsa mund të diskutohet edhe falimentimi i tyre. Ndërkohë Macclesfield Toën dhe Southen United po akuzohen për mos pagimin e lojtarëve të tyre në këtë sezon dhe situata për ta do të kalojë edhe më keq.

E vetmja mënyra është ndihma financiare që mund t’u jepet për këtë rast, por në këto momente ka pak gjasa që të diskutohet mbi këtë çështje, pasi të gjitha shtetet po mbrohen duke investuar lekët në mjekësi dhe shëndetësi, pasi sigurisht që shëndeti është primari.

Ndërkohë kreu i Tranmere Rovers në “League One”, Mark Palios, shprehet se klubit të tij do t’i kushtojë 500.000 paundë të ardhura të humbura për shkak të vendimit që kampionati të luhet pa tifozë.

Ndërsa klube të tjera angleze në këto divizione dalin në përfundimin se do të humbasin 250.000-300.000 paundë nga mungesa e tifozëve. Por nuk mbaron me kaq, pasi gjithashtu ekipet janë të detyruara që të rimbursojnë edhe sportdashësit që kanë abonime vjetore, por që nuk u lejohet që t’i shohin këto takime. E këtu do të goditet edhe sezoni i ardhshëm, me specialistët që shprehen se kjo lloj pasigurie që po përjetojmë do të ketë ndikim edhe në shitjet e biletave për sezonin e ardhshëm.

E në çfarë kohe që jetojmë. Një virus i ardhur nga Kina, pushton Italinë dhe gjithë Europën, ka fuqinë për të mbyllur futbollin dhe stadiumet më të njohura si kurrë më parë, ndërsa tani kërkon edhe të falimentojë klubet. /Sport Ekspres/

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.