Kristiano Ronaldo te Juventusi është një operacion i gjatë dhe i ndërlikuar, qr nuk mund të mbyllet me një firmë.
Ylli portugez ka një kosto të madhe, si për kartonin, ashtu edhe për pagën, ndërkohë që natyrisht duhet kënaqur edhe agjenti i vet Zhorzh Mendesh, i cili do një “zarf të vogël” me shumë milionë brenda.
Ndërkaq, vetë Ronaldo ka edhe halle të tjera, sepse tatimet në Spanjë i kërkojnë 18.8 milionë euro, sipas marrëveshjes së arritur muajin e shkuar. Bëhet fjalë për gjobën e vendosur ndaj portugezit për shkak të fshehjes së fitimeve, ndaj për të evituar burgun Ronaldo pranoi kompromisin duke paguar.
Tani ylli i Realit duhet të shlyejë shumën para se të lërë Spanjën, përndryshe rrezikon telashe të reja ligjore.
Tatimet në Spanjë mund t’i bllokojnë pagën te Juventusi, në bashkëpunim me autoritetet italiane, ndërkohë që më pas do të kalohet në përballje të tjera gjyqësore.