Bonuçi kalon te Milani, nuk ishte një… “shaka”!

 

Mbrojtësi bardhezi, goditja më e rëndësishme në këtë merkato nga kuqezinjtë. Gati 40 mln euro për Juventusin dhe rrogë deri në 8 mln për lojtarin, që shtyu për të shkuar te “Djalli”. Sot, vizitat mjekësore

Ajo që mund të ishte fantashkenca e verës u kthye në realitet! Bonuçi do të transferohet te Milani për një shifër të përafërt me 40 milionë euro dhe një rrogë që bashkë me bonuse duhet të jetë rreth 8 milionë euro. Praktikisht, një operacion “rrufe” i ndjekur në vetëm 48 orë, ku sot lojtari do të jetë në Milanelo, nëse gjërat shkojnë mirë, për vizitat mjekësore dhe më pas firmën, duke qenë se në mesditë, Milani do të niset për në turneun aziatik. Gjithçka e kryer shpejt, me bardhezinjtë që janë detyruar të kënaqin kërkesën e lojtarit për t’u veshur kuqezi.

Edhe agjenti i mbrojtësit italian, Alesandro Luçi ka ushqyer spekulimet më tej duke refuzuar të lëshonte ndonjë mohim. “Nuk kam ndonjë ndjenjë në këtë moment, ne vetëm duhet të presim”, ka thënë Luçi për Calciomercato.com. Megjithatë, në mbrëmje, pasi është takuar me Mirabelin dhe Fasonen, ka lajmëruar edhe lojtarin, që do të firmosë për katër vitet e ardhshme me kuqezinjtë. Në fillim u përfol për Romanjolin në ofertën kuqezi, bashkë me De Shiljon, por ra menjherë si pistë dhe, gjithashtu për mbrojtësin De Shiljo do të ketë një tratativë të veçuar, edhe pse me një skonto të madhe nga kuqezinjtë, që mund të jetë deri në 5 milionë euro. Mes Juves dhe Milanit kishte distancë, por më pas çdo gjë u sheshua, duke qenë se dëshira e Bonuçit për t’u veshur kuqezi ishte e madhe.

Por, si lindi e gjitha kjo? Lojtari i ka kërkuar largimin drejtuesve të Juventusit, teksa i ka thënë se “dua të shkoj te Milani, jo jashtë Italisë”. Një zgjedhje e fortë, që është pritur nga “Zonja”, edhe pse do të kishte dashur që të arsyetonte me një tjetër ofertë dhe një tjetër klub. Natyrisht, nuk lindi në një moment, por po ndiqej nën rrogozë, gjatë gjithë kësaj kohe. Një indicie më shumë ishte deklarata e Montelës në grumbullimin kuqezi, në ditën e parë: “Kushedi nëse marrim ndonjë lojtar nga Juventusi, Roma, apo edhe Interi…”. Praktikisht, trajneri ishte lajmëruar prej kohësh për këtë goditje të mundshme.

Sipas “Premium”, që ishte edhe portali i parë që nxorri lajmin, pikërisht karta “Bonuçi” është luajtur nga klubi kuqezi për të bindur portierin që të rinovonte. Madje, edhe Raiola ka qenë në dijeni të këtij operacioni. Alesandro del Piero, sakaq, mbrëmje, ka thënë: “Jam i surprizuar. Ajo që dukej si shaka kur erdhi lajmi, u kthye në realitet. Eshtë e pabesueshme, kurrë s’do ta kisha menduar diçka të tillë”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *