Bonuçi acaron “Zonjën”: Milani, skuadër Championsi!

 

Nga emocionet e muzeut kuqezi, te idhujt Del Piero, Pirlo dhe Nesta: 7 herë kampion evrope nuk mund të bëhesh prej fatit

Ecën shpejt Leonardo Bonuçi. Transferimi i menjëhershëm te Milani, turneu në Kinë dhe më pas, debutimi me kuqezinjtë ndaj Bajernit. Gjithçka në shumë pak ditë. Tani skuadra është kthyer në Milano dhe Leo ndalet për të folur, duke prekur shumë argumente. “Kur mendoj për Milanin, më vjen ndërmend tradita, historia, fitoret e rëndësishme, – ka thënë ish-mbrojtësi i Juves për Milan TV. – Një skuadër që ka fituar 7 Champions League nuk i ka rastësisht. Kjo do të thotë se këtu ka traditë, mentalitet fitues. Tani është detyra jonë që të rikthejmë Milanin atje ku meriton”.

SI SULMUES – Gjatë intervistës, Bonuçi i rikthehet edhe karrierës së tij që në moshë të herët, kur sqaron. “Kam nisur të luaj mbrojtës në moshën 16-vjeçare, sepse në fillim luaja si mesfushor përpara mbrojtjes. Kam bërë edhe ndonjë ndeshje si sulmues i parë. Më pas, në vitin me Viterbezen, kur trajneri ishte Karlo Perrone, më tha se nëse doja të bëhesha dikush duhet të bëhesha mbrojtës qendre. Unë nuk isha i bindur, por isha kapiteni, duhet ta dëgjoja. Kishte të drejtë ai”.

IDHUJT – Del Piero si idhull absolut, por jo vetëm. Bonuçi pranon se ka përfituar shumë edhe nga kampionët e Milanit. “Idhulli im kur isha djalosh ishte Del Piero, më ka goditur gjithmonë me mënyrën e tij të të luajturit. Por shihja me admirim edhe Nestën, një mjeshtër në luajtjen  e topit. Për mua ka qenë një pikë referimi. Te Milani ka shumë, Maldini, Barezi, Kaka dhe Shevçenko. Ka qenë emocionuese të hyje në muzeun e kuqezinjve dhe të shihje kampionët që kanë veshur këtë fanellë”.

MË TË MIRËT – Tani, për Bonuçin lojtari më i fortë në botë është CR7. “Është më i miri me të cilin jam përballur, ka të gjitha karakteristikat e kampionit”. Dhe, ndërmjet shokëve të tij zgjedh Pirlon. “Ia jepje topin atij dhe ai e qante. Kam mësuar shumë nga Andrea”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *