U paraqit në Shqipëri, kreu vizitat mjekësore me Kukësin dhe në fund… nuk u prezantua. Për të, më e rëndësishme ishte korrektësia në paraqitjen në stërvitjen e parë me ekipin. Sulmuesi Emanuel Mensah erdhi, pa ambientin, njerëzit, situatat dhe ka vendosur që të mos vazhdojë karrierën me Kukësin dhe pse u mendua se gjithçka ishte e kryer.
Palët nuk kanë rënë dakord në momentin e fundit, ndërsa në gjithë këtë situatë ka përfituar Partizani. “Demat” u treguan më të shkathët dhe po mendojnë afrimin e sulmuesit afrikan. Mensah pritet të ketë bisedime me klubin e Partizanit. Palët do të takohen dhe më pas do të flasin nëse mund të firmosin kontratën mes tyre dhe mund të bien dakord.
Emanuel Mensah kthehet në Kategorinë Superiore pas një viti. Në verën e 2017-ës, sulmuesi u largua nga Laçi, për të provuar aventurën në Superligën greke. Fillimisht te Atromitos dhe më pas në radhët e Kërkyrës. Ganezi vendosi të kthehet në Shqipëri, edhe sepse tundimi për të luajtur te Kukësi dhe për të pretenduar fitimin e trofeve ishte tepër i madh.