Një episod i çuditshëm ka ndodhur dje në Serinë A, pikërisht në ndeshjen e mbrëmshme, asaj ndërmjet Bolonjës dhe Torinos. Kështu, në të 9’, Beloti, brenda zonës së rreptësisë kundërshtare, pengohet pas një kontakti me Maietën. Loja vazhdon, por duket se është një rast tipik për VAR-in. Pritet disa sekonda, por më pas ndodh çudia. Spikeri i stadiumit “Dall’Ara” bën me dije se në këtë ndeshje nuk do të ketë VAR. Problemi duket se është komunikimi në radio ndërmjet arbitrit Masa dhe kolegëve të tij. Por, në të 33’ gjithçka rinis dhe spikeri njofton se VAR-i funksionon.
Më pas, në fundin e takimit, tjetër episod i diskutueshëm. Torinos i akordohet një pozicion jashtë loje dhe arbitri Masa vendosi të fishkëllente sapo pa flamurin e anësorit të ngritur.
Duke parë pamjet, pozicion jashtë loje nuk kishte dhe arbitri po të kishte lejuar përfundimin e aksionit, do të kishte konsultuar VAR-in dhe do të kuptonte se pozicioni ishte i rregullt.