Janë zhvilluar fundjavën që lamë pas ndeshjet e turneut ndërkombëtar të boksit “Adem Jashari”, turne që zhvillohet prej vitesh në Mitrovicë.
Kombëtarja Shqiptare, nën drejtimin e trajnerit shkodran Zef Gjoni, ka arritur të fitojë 1 medalje ari dhe 2 argjendi.
Heroi i kuqezinjve është Alban Beqiri, i cili mori medaljen e artë, ndërsa tjetër Idriz Istrefaj dhe Albert Kapaj morën medalje të argjendtë.
Alban Beqiri konfirmohet në nivele të larta, sepse është shpallur për 8 vite kampion Shqipërie në boks për peshat e mesme, duke u shpallur 4 herë boksieri më i mirë në Shqipëri.
Beqiri ka spikatur edhe në turnetë e zhvilluar jashtë Shqipërie, duke fituar 3 herë turneun “Gongu i Artë” në Maqedoni, ku marrin pjesë sportistë nga e gjithë Europa.
Në Mitrovicë, Beqiri kthehej në ring pas një pauze 2-vjeçare, por sërish spikati, duke fituar fillimisht ndaj një rivali nga Kosova dhe më pas kundër rivalit nga Republika Çeke, të cilin e mposhti që në raundin e parë për vendim teknik, duke qenë se boksieri çek u dëmtua në vetull.
Pa asnjë humbje në Shqipëri, 24-vjeçari Beqiri shprehet për “SportEkspres.com”: “Mbështetja ime më e madhe ka ardhur nga trajneri i mirënjohur Sead Bushati, pa atë nuk do kisha arritur kaq larg, pasi unë dhe ai jemi një në ring.
“Modeli im në boks? Rusi Genady Golovkin, sportist i jashtëzakonshëm!
“E ardhmja? Synoj të kem sukses edhe në kompeticionet europiane e botërore, për të shkuar në Lojërat Olimpike, pasi jam i vetmi boksier shqiptar që ka shpresa ta realizojë diçka të tillë”.