Menaxheri i njohur, Sokol Haxhia rrëfehet. Nga merkato, e ardhmja e talenteve që menaxhon, te kombëtarja, Sadiku, Manaj, Strakosha e kështu me radhë. “De Biazi iku tani, sepse mbetej pa ekip”
Intervistoi: Anton Cicani
Jeton në Itali prej shumë vitesh, por sigurisht që sytë i ka edhe nga Shqipëria. Agjenti i FIFA-s, Sokol Haxhia, ka hyrë në periudhën e merkatos, pra “buka dhe uji” i tij i përditshëm, aty ku duhet të tregosh aftësitë e tua… E teksa lexon gazetat italiane, Inzagin & Co që vihen në radhë si kandidatët e stolit kuqezi, preferon të flasë edhe për emra të tjerë, për të promovuar shqiptarë. E bën në një intervistë të dhënë për “Sport Ekspres”, ku prek disa tema.
Si po shkon merkato, ke hyrë në muajt e nxehtë, kur të duhet ta karikosh telefonin shpesh…
(qesh). E vërtetë, kam dy në fakt. Një personal dhe një për punë. Natyrisht, telefoni është i nxehtë, ashtu si edhe stina. Merkato është diçka e bukur, siç edhe ju gazetarët shkruani, ne bëjmë punën tonë.
Isufaj, Ndoj, Ibrahimi… Tre të rinjtë të talentuar. Kush mendon se do të ecë më shumë nga “skuderia” juaj?
Uroj të tre, sepse talenti nuk i mungon. Përkundrazi. Besoj se kanë karakteristika të ndryshme. Isufaj është i Kievos, që sapo e bleu dhe ka në dorë të ardhmen e tij, edhe pse interesi i Romës është i madh. Sakaq, edhe Ndoj është një lojtar që u ble nga Breshia gati 1,5 mln euro, por që mund të transferohet te Bolonja. Sakaq, Ibrahimi gjithashtu po bën mjaft mirë dhe shumë klube më kanë kërkuar informacione.
Të kalojmë te disa lojtarë të kombëtares
Patjetër, por s’është se i menaxhoj unë…
Armando Sadiku. Sulmuesi i kombëtares por vazhdon të luajë në Zvicër prej vitesh dhe ka mbetur në vend. Si e shpjegon?
Vështirë ta shpjegoj, por kur dëgjoj të thuhet se e kërkon Makabi Haifa më duket për të qeshur. Në Izrael është një nivel i dobët i futbollit, ku jo vetëm që nuk përmirësohesh, por bën edhe hapa mbrapa. Sadiku është ende shumë i ri, s’e kuptoj se çfarë kërkon në Izrael. Dikur, ëndrra e tij ishte të luante në Serinë A, ndërsa sot kur dëgjoj Makabi e të tjera, ekipe të dorës së tretë, më duket vërtet e habitshme, pasi ai ka shumë potencial.
A është e vërtetë që dikur ishte shumë pranë firmës te Xhenoa, në Seirnë A?
Po, shumë e vërtetë. Ju tregoj historinë, sepse e di mjaft mirë, pasi e ndoqa personalisht. Në kohën kur Sadiku luante me Luganon në ligën e dytë zvicerane, pra pasi ishte transferuar nga Lokarno, ku edhe shpërtheu, Renzeti i kishte ende borxh disa para presidentit të Xhenoas, Preciozit.
Po Preciozi çfarë hyn këtu?
E thjeshtë, dikur Preciozi ka qenë bashkëpronar i Luganos dhe kishte edhe Komon, ndërsa kur u ndanë me Renzetin, ky i fundit i mbeti 1 milion euro dhe në atë kohë i ofroi kartonin e Sadikut për t’ia larë gjysmat. E vlerësonte 500 mijë euro, aq sa edhe e shiti te Zyrihu.
Çfarë ndodhi më pas?
Më pas, Sadiku duke qenë ekstrakomunitar, s’mund të transferohej në Serinë A, pasi Xhenoa duhet të ruante vendin bosh për dikë tjetër dhe nuk do ta harxhonte me sulmuesin shqiptar. Tani gjërat kanë ndryshuar, pasi mesa di është duke marrë pasaportën bullgare…
Thonë që e duan në Gjermani, por edhe Angli?
E besoj, siç e thashë, e ka potencialin për të luajtur kudo, thjesht duhet ta ndajë mendjen.
Nga Sadiku te Manaj. A mund të krahasohet situata, duke qenë se gjithashtu ka pasur shumë luhatje në karrierë?
Po, si puna e Sadikut është edhe puna e Manajt, që si fillim synonte të luante te Interi, më pas sulmoi të luante te Peskara dhe aty nuk ia doli gjithashtu, duke shkuar te Piza huazim, por këtu s’pati edhe fat pasi klubi ra në kategori. Dhe, tashmë i duhet që ta nisë sërish nga Seria B (Karpi përflitet). Përpara dy vjetësh, kur ishte te Primavera, pra të rinjtë e Interit, e kontaktova dhe i thashë flasim me menaxherin tënd sepse të kërkon Livorno. Nga poshtë sipër, sepse nga sipër poshtë është gjithmonë shumë e vështirë.
Mbetemi te çështja “Manaj”, mendon se mund t’ia dalë të tregojë vlerat, duke parë se gjatë këtyre dy viteve të fundit, mes huazimeve dhe ngeljes në klasë, ka humbur disi shkëlqimin?
Manajn nuk e njoh personalisht, por kam lexuar në gazeta dhe që ka pasur probleme me Odon te Peskara, me De Biazin dhe me Gatuzon te Piza. Eshtë djalë i ri dhe është normale. Megjithatë, duke qenë datëlindja 1997 i ka të gjitha mundësitë të bëhet superlojtar. Duhet vetëm të ulë kokën dhe kaq. Të vazhdojë të punojë.
Etrit Berisha dhe Thomas Strakosha. Fatet paralele, apo ironi e fatit? Pra, Berisha nuk ishte për te Lacio dhe duhet të kishte pranuar Kievon që kur u transferua në Itali, në të kundërt Strakosha tregoi vlerat?
Me Berishën ndodhi e njëjta gjë që të kërkova më parë. Pra, në vend që ta fillonte te një ekip të nivelit të ulët, si Kievo, duke u ngjitur sipër, e nisi me Lacion. Më saktë, paratë e Lacios, stolin, duke bërë para… Kur bëri para, nisi të kërkonte stabilitet dhe skuadër. Eshtë thjesht mendimi im personal. Berisha është portier i mirë dhe nuk diskutohet. Por, duke parë se Strakosha u rrit, nga ana teknike dhe taktike në skuadrat e moshave të Lacios dhe po luan titullar te Lacio, këtë gjë ia kisha thënë Fotos… U takuam njëherë në aeroport dhe i thashë Strakosha do të luajë titullar dhe Berisha jo. Te Lacio flas. Eshtë i mirë Berisha, por teknikisht i mungon shkolla italiane. Mbahet te instikti. Berisha ka bërë tjetër trajektore, nga Kosova në Suedi. Kurse, Thomasi e ka nisur nga Italia që i vogël dhe ka akumuluar tjetër përvojë.
Atëherë, do të thuash se tashmë trajneri i ardhshëm i Shqipërisë do të ketë dyshime mes tij dhe Berishës, kush do të mbrojë portën?
Nuk jam trajneri i kombëtares, por mes titullarit të Lacios dhe Atalantës, i pari shihet si favorit, edhe pse në moshë më të re. Strakosha e meriton te luajë, para Berishës. Kështu e shoh unë…
De Biazi ka dhënë dorëheqjen, por e çuditshmja është pas një fitore, ku Shqipëria ndodhet në vend të tretë momentalisht, në një grup ku nuk pretendonim vendin e parë, duke qenë Spanja dhe Italia më lart. S’mund të prisnim Hënën… Si të duket zgjedhja e tij: bëri mirë që vazhdoi pas Europianit, apo duhet ta kishte mbyllur?
Më e mira që mund të kishte bërë De Biazi ishte që pas Europianit duhet të zgjidhte dy rrugë: ose një shumë afatgjate, me kombëtaren, pra jo dy vjet, por minimumi 4, ku kishte mundësi që t’i dedikohej dhe stimulonte lojtarët. Ose, ta linte pas Europianit dhe të shihte për skuadra të tjera, apo oferta që mund të trokisnin për të. S’e di pse e la kur mungonin edhe 4 ndeshje dhe jemi të tretët. Ndoshta, sepse duke ikur tani ka mundësi të gjejë ekip tjetër, sepse duke ikur në tetor do të bëhej e vështirë çdo gjë.
Në Shqipëri diskutohet shpesh fakti: i dha De Biazi-Shqipërisë, apo Shqipëria-De Biazit? Praktikisht, ishte momenti që të kualifikoheshim, apo u desh dora e trajnerit?
Nuk di të them. S’i përgjigjem dot në këtë mënyrë. Ta shpjegoj ndryshe.
Po, mund të vazhdosh…
Shqipëria shkoi mori Xhani de Biazin. Mesa e kam ndjekur tratativën, mund të ketë qenë një ndër më të paguarit e historisë së Shqipërisë. Pra, investim i rëndësishëm i federatës, që i kishte dhënë objektiv vetes të sillte trajner me cilësi që të rriste cilësinë edhe të skuadrës. Në dy vitet e para kur ai erdhi dhe kishte skuadrën për ta rinovuar, ne arritëm, nëse s’gaboj, në vend të katërt apo pestë. Në dyvjeçarin e parë, një mund të thotë “aty ku ishim, aty na la!”. Ishte largvështrimi i Dukës ai që edhe pse, gazetarët, ambienti dhe të gjithë e sulmuan, ai i besoi dhe këmbënguli duke i rritur edhe rrogën. De Biazi trajner niveli, pasi ka drejtuar në Serinë A. Kur erdhi në Shqipëri, punën e bëri si një profesionist, sepse për atë punë e paguan. Por, në anën tjetër, federata, me afrimin e shumë lojtarëve kosovarë, bëri që niveli të rritej jashtëzakonisht shumë se më përpara. Të mos harrojmë luftën që federata bëri në CAS, duke paguar avokatët e studiove ligjore më të forta, duke i paguar për punën e dronit në Serbi. Nga ana ime, Xhani erdhi dhe dha atë që kishin paguar, pra profesionalizmin italian, duke vënë në shfrytëzim dijet. Por, s’duhet harruar kurrë puna që federata bëri për ta vënë në kondicion trajnerin që të marrë më të mirën. Pra, a mori Shqipëria nga De Biazi ose anasjelltas, s’e shoh kështu. Ishte trajneri i duhur, në momentin e duhur. Ka edhe diçka tjetër…
Cila?
Momenti që kontaktova De Biazin, ishte i papunë prej 1 viti. Shqipëria kishte mbarruar rrugën që ishte e parafundit. Të dy, si të thuash, në nivele të ulëta. Bashkëpunuan, De Biazi me kombëtaren dhe arritën të bënin diçka. Pra, u ngrit si Shqipëria me emër, ashtu edhe trajneri.
Çfarë ndodh tani? Duket sikur lojtarët janë të ngopur, ashtu si tha edhe De Biazi? Ndoshta mos pas Europianit iu duk vetja yje?
Më duket diçka e çuditshme, sepse po ta marrësh formacionin bazë sheh 5-6 që luajnë në Serinë A, në Itali. Të tjerët në Zvicër, Francë, Rusi, Gjermani e kështu me radhë. Janë profesionistë dhe s’luajnë në kampionate minore dhe s’janë mësuar. Eshtë detyra e ambientit dhe trajnerit, mentaliteti në prag të sfidës me Izraelin. Ne do të mbetemi kombëtare e vogël, për numrin e lojtarëve që prodhojmë, por ajo që ka destabilizuar ambientin është që pas Europianit lexoja shpesh artikuj e gjëra që De Biazi mund të ikë sot ose nesër. Ndoshta i ka destabilizuar, por uria e tyre s’mund të diskutohet sepse janë profesionistë. Nëse s’janë profesionistë, atëherë s’mund të luajnë në ekipe të mira. Arritja e tyre duket te shifra e kontratave që kanë arritur dhe kanë ende shumë punë.
Të ndalemi pak te trajneri i ardhëhëm… Përflitet Inzagi, je dakord?
Mund të them që Inzagi s’ka përvojën e duhur dhe në listë mund të jenë 20 të tjerë përpara se të mbërrijmë te Inzagi. S’dua të hyj të zgjedhjet e presidentit Duka, sepse s’e kam bërë asnjëherë. Por, mesa di, ai është mirë te Venecia dhe ka buxhet vërtet të rëndësishëm, siç edhe ia ndërtuan skuadrën në Lega Pro.
Atëherë, basti i Sokol Haxhisë. Nëse do të ishte këshilltari i Dukës, cilin emër do t’i jepje, për stolin e Shqipërisë?
Një shqiptar, me siguri…
Emrin…
Erjon Bogdani dhe do të them motivet…
Po presim?
Eshtë profili ideal për t’u provuar nga presidenti Duka. Motivi është i thjeshtë. Ka punuar pranë Xhani de Biazit, i ka vjedhur disa sekrete, njeh dhëmbë e dhëmballë Shqipërinë dhe atë që mund të japë, përveç se të rinjtë, por sidomos ka luajtur në Itali për më shumë se 10 vjet. Njihet edhe në arenën ndërkombëtare dhe ka mbaruar të gjitha kurset.
Por, a është te U-19?
Dhe çfarë do të thotë kjo?! Asgjë, sigurisht. Mbani mend Joahim Lëv apo Katanec. Nga të dy kaluan të parë dhe De Biazi, pasi iku Tramexani, mbeti i dytë. Mendoj se do të ishte basti i Dukës dhe uroj që ta fitonte. Kam edhe diçka tjetër
Po…
Duhet një figurë pranë Bogdanit.
Cili?
Mendoj që Arjan Beqaj do të ishte një figurë e rëndësishme, me përvojën që ka fituar. Një dyshe Bogdani-Beqaj për mua do të bënin diferencën. Kanë katër ndeshje për të treguar veten. Nëse bëjnë mirë, pse të mos konfirmohen.
Edhe nëse do të digjeshin?
Në kombëtare s’mund të digjesh kurrë.