Blofi “De Biazi”, turizëm dhe fitore!

Pas 5 vitesh në drejtimin e Shqipërisë tregoi dhe njëherë se sa herë ka momentin më të keq e shndërron skuadrën në një të tillë fituese. Nuk mund të jetë vetëm rastësi

Nga Gjergji Stefa

Në 27 ndeshje zyrtare, Xhani De Biazi në 9 raste jashtë fushës sonë ka fituar ose ka barazuar. Kjo është një statistikë impresionuese, për një skuadër që përpara se italiani të merrte drejtimin, fitonte një herë në 4-5 vite një ndeshje jashtë “Qemal Stafës”. Mund të jetë një argument i veçuar, por mënyra se italiani i përgatit momentet e vështira jashtë vendit janë përcaktuese. Edicionin e shkuar në 4 ndeshje në transfertë morëm 10 pikë, madje nuk pësuam asnjë gol, duke fituar 3 ndeshje e duke barazuar 1. Kjo mund të jetë një arsye se përse De Biazi ndoshta nuk u habit që skuadra e tij fitoi 3-0 në Izrael. Kjo mund të jetë një fitore përcaktuese për objektivin e vendit të tretë. Dy sezone më parë ishte triumfi 1-0 në Norvegji, edicioni i shkuar u vendos në një sukses 3-0 në Armeni, ndërsa këtë radhë në Haifa i dhamë kuptim një sezoni që në letër dukej pothuajse i dështuar.

Nuk është e vështirë të skanosh diferencat e mëdha që mund të ketë karakteri njerëzor dhe sportiv i trajnerit të Kombëtares shqiptare. Pas 5 vitesh qëndrimi gjithkush mund të ketë një opinion të tijin. Krejtësisht i paqëndrueshëm në marrëdhëniet me njerëzit, herë pas here i pasjellshëm dhe në shumicën e rasteve cinik dhe arrogant. Nuk është nga ata që pranon lehtë dështimin, por përkundrazi është pikërisht një nga ata që bën të pamundurën për të marrë meritat e sukseseve. Konferencat e tij për shtyp në shumicën e rasteve janë tallje me ata që ka përballë dhe jo rrallë mungesë respekti. Thonë që nuk ka pothuaj asnjë mik në këtë vend, bën gjithçka që llogaria bankare të jetë në nivele të larta dhe megjithëse këndon himnin shqiptar dhe mban në xhep një pasaportë kuqezi, flirton me këdo që i del përpara. Vështirë se na do shumë, pavarësisht se në sytë e tij tërë jetë shpesh të ngjan si i mallëngjyer për atë çka ndodh në Shqipëri. E gjitha kjo nuk ka asnjë rëndësi për atë çka e paguajmë. Dhe nuk e paguajmë pak. E paguajmë gati 500 mijë euro në vit. Është shqiptari më koeficentin e taksë-pagesës më të lartë në këtë vend. Punën e tij di ta bëjë mirë. Ndryshe nuk do kishte mbijetuar tre edicione, mund të marrë një mandat të katërt dhe në drejtimin e tij Shqipëria shkoi në Europian e madje fitoi dhe një ndeshje atje. Është i aftë sa herë i duhet të jetë i tillë.

Patjetër që nëse do ishte trajner edhe më i mirë nuk do ishte trajneri i një skuadre që në vitin 2011 ishte në vendin e 90-të në Botë. Ai ka uljet dhe ngritjet e tij. Megjithatë, ka një pikë që e bashkon ecurinë e italianit në përfaqësuese. Sa herë është në vështirësi personale, ai di ta shndërrojë skuadrën në një fituese. Nëse do kishte më shumë stabilitet, do kishte arritur ndonjë rezultat më shumë, por me siguri që di të shpëtojë kur gjithçka duket në fije të perit. Kështu ndodhi dhe në 2012, përpara një ndeshjeje me Slloveninë, kështu ndodhi dhe në fillim të edicionit të shkuar, ku teksa shumica po i bënin gati valixhet, fitoi në Portugali për t’i dhënë jetë një ëndrre që u bë realitet.

Kështu ndodhi dhe këtë sezon. 5 humbje radhazi, një klimë jo e lumtur me drejtuesit e FSHF-së, disa probleme në ekip, sidomos për shiritin e kapitenit, disfata kundër një skuadre modeste si Luksemburgu dhe flirtimi që bën për një kontratë tjetër jashtë Shqipërisë ishte argumente që të çonin tek e vetmja rrugë. Nëse humbnim në Izrael jo vetëm që do humbnim sezonin, por gjithashtu mund të humbnim përfundimisht dhe De Biazin. Këtu nuk ka ndonjë gjë për t’u kundërshtuar, sepse nëse një ekip kombëtar humbet 6 humbje radhazi dhe del nga objektivi, atëherë patjetër që trajneri do vihet në diskutim, qoftë ky dhe trajneri i një skuadre që disa muaj më parë në drejtimin e tij realizoi mrekullinë duke shkuar në finalet e një Europiani. Si ia doli De Biazi që në 4 ditë ta kthente në favor të situatën më të vështirë në aventurën kuqezi?

E para, rregull, disiplinë dhe shumë, shumë mëri dhe nerva. De Biazi kuptoi një gjë që ditën e parë që erdhi në Shqipëri: në këtë vend njerëzit nuk mund të japin më të mirën e tyre në kushte harmonie. Sapo ti mendon që ke arritur diçka dhe krijon, le të themi, një lloj sigurie, njerëzit fillojnë e tolerojnë vetvetiu. E bëjnë pa ndërgjegje, në përgjithësi shqiptarët kënaqen me pak. Atëherë duhet të bësh Diktatorin. Duhet t’i bezdisësh, t’i mërzitësh, t’u provokosh sedrën, t’i bësh të luajnë për veten e tyre, për t’i treguar trajnerit dhe pse jo opinionit se nuk janë aq të mbaruar sa thuhet. Në këtë rast De Biazin e ndihmon dhe media.

Në kufijtë e pasionit, një fitore kundër Luksemburgut në miqësore shfaqet si një super sukses dhe një humbje me të njëjtin kundërshtar po në nivel miqësor shfaqet si dramë. Në të dyja rastet është vetëm një miqësore, që kushdo nga ata që luajnë përtojnë… ta luajnë. Lojtarët patën fat që humbën disa ditë përpara ndeshjes kundër Izraelit. Ata u zgjuan, gjithkush filloi t’i cilësojë “të mbaruar” dhe ata, duke e ditur që kanë diçka më shumë se këto humbje, nxituan të shfaqin versionin e tyre më të mirë. De Biazi ishte i lumtur gjithashtu për atë disfatë. Ai e dinte që ky grup duhej riprovokuar për të dhënë më të mirën. Këtë sinjal nuk e dha në publik, por vetëm në dhomat e zhveshjes. Ngarkoi emocionalisht të tijtë dhe i dha publikut të besonin se “po, ne jemi në krizë dhe nëse humbasim do jetë tragjedi”. Jo keq si lëvizje.

Sigurisht që Shqipëria nuk ka pasur ndonjëherë trajner më të aftë se De Biazi, por personalisht jam kurioz ta shoh këtë grup lojtarësh të drejtohet nga një trajner tjetër, për të kuptuar se sa është diferenca mes organizimit të federatës, vlerave të futbollistëve dhe punës së trajnerit. Megjithatë, nëse ka ende uri për të shkuar në Europianin e 2020-ës, nuk ka asgjë të keqe që trajneri të vazhdojë të punojë për ta përmbushur këtë pritshmëri. Në fillim duhet vendi i tretë këtë edicion, më pas ëndrra Nations Cup dhe në fund eliminatoret e Euro 2020. De Biazi do vazhdojë të jetë i njëjtë, sepse njeriu nuk mund të ndryshojë në këtë moshë. Njeriu antipatik që, si i thonë fjalës, nuk e kemi marrë për dhëndër, por për trajner.

 

Ndeshjet zyrtare

Shqipëri-Qipro                                  3-1

Zvicër-Shqipëri                  2-0

Shqipëri-Islandë         1-2

Shqipëri-Slloveni              1-0

Norvegji-Shqipëri            0-1

Shqipëri-Norvegji            1-1

Slloveni-Shqipëri              1-0

Islandë-Shqipëri         2-1

Shqipëri-Zvicër                  1-2

Qipro-Shqipëri                  0-0

Portugali-Shqipëri            0-1

Shqipëri-Danimarkë        1-1

Serbi-Shqipëri                   0-3

Shqipëri-Armeni               2-1

Danimarkë-Shqipëri        0-0

Shqipëri-Portugali            0-1

Shqipëri-Serbi                   0-2

Armeni-Shqipëri               0-3

Shqipëri-Zvicër                  0-1

Francë-Shqipëri                2-0

Rumani-Shqipëri              0-1

Shqipëri-Maqedoni         2-1

Lihteshtejn-Shqipëri       0-2

Shqipëri-Spanjë                0-2

Shqipëri-Izrael                   0-3

Itali-Shqipëri                      2-0

Izrael-Shqipëri                   0-3

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *