“Blerja” e parë e Tiranës, tifozët i gëzohen rikthimit të idhullit të tyre

Pas një kohe shumë të gjatë pritej. Gentian Muça është rikthyer që të luajë një ndeshje futbolli. Kapiteni i Tiranës, ka fituar ndeshjen më të vështirë, teksa e kaloi problemin shëndetësor që ka pasur dhe tashmë është gati që të rikthehet të japë kontributin e tij për fanellën bardheblu. Në ndeshjen e djeshme mes Tiranës B dhe Adës, në fushë nuk ishte vetëm Majkëll Ngo, por dhe Muça.

Një periudhë e gjatë dhe e vështirë që më në fund merr fund, pasi ndeshja e fundit e 31-vjeçari daton në 4 mars të vitit 2017. Që atëherë Muça nuk kishte zhvilluar asnjë ndeshje, por dje u rikthye dhe gradualisht do të kërkojë që të arrijë formën optimale, për të dhënë më të mirën e tij dhe për skuadrën e parë të Tiranës, e cila po kalon një moment të vështirë.

Gjasat janë që Muçën ta shohim dhe disa ndeshje të tjera me Tiranën B, para se stafi teknik dhe ai mjekësor të vendosin që është gati për të qenë me skuadrën e parë. Një lajm i mrekullueshëm për kapitenin e Tiranës në radhë të parë dhe më pas për tifozët bardheblu, që shohin rikthimin e idhullit të tyre në horizont.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *