Vllaznia e mbylli me një humbje fazën e parë, por shkodranët vazhdojnë të kryesojnë grupin A në kategorinë e parë. Djemtë e Hasan Likës provuan humbjen e parë pas 9 javësh, duke u mposhtur përballë Ilirisë së Fushë Krujës me rezultatin 1-0.
Vllaznia numëron 22 pikë, katër më shumë se Erzeni dhe pesë më shumë se Dinamo. Dan Gelu Ignat po luan sezonin e parë me ekipin shkodran, ndërsa mbrojtësi rumun ka folur për faqen zyrtare të klubit shkodran.
32-vjeçari është befasuar nga Shkodra, ndërsa shprehet i bindur se Vllaznia do të jetë në Superiore vitin e ardhshëm. Mbrojtja ka pësuar vetëm 3 gola dhe Ignat është i kënaqur me këtë statistike. Mbrojtësi ka eksperiencë dhe është aktivizuar në Rumani, Oman, Jordani, India dhe tashmë Shqipëri.
Kategoria e parë është agresive, ndërsa ai dëshiron të zbulojë dhe nivelin e Kategorisë Superiore. I duhet të presë pak, por Ignat dhe Vllaznia janë në rrugën e duhur për të kthyer klubin shkodran aty ku e meriton.
Ka përfunduar tashmë faza e parë e kampionatit. Jeni i kënaqur me mënyrën si kanë shkuar gjërat për Vllazninë, apo prisnit më shumë?
-Po, jam i kënaqur me mënyrën si kanë shkuar gjërat, kemi një ekip me lojtarë të mirë, por jam i kënaqur edhe me faktin se jam pjesë e këtij klubi të madh në Shqipëri, me një histori të madhe, paçka se tani luan në kategorinë e parë. Jam i bindur se do të kthehemi sërish aty ku duhet të jemi, në Superligë.
Vetëm tre gola të pësuar nga Vllaznia në këto ndeshje. Për ju si mbrojtës, janë shumë apo pak?
-Nuk janë shumë gola të pësuar, por për mendimin tim se duke qenë edhe mbrojtës, për mua dëshira ime është që të mos pësonim asnjëherë gol, megjithatë ne përpiqemi të pësojmë sa më pak sepse kështu ka sukses edhe skuadra.
Katër pikë diferenca me skuadrën e vendit të dytë. I frikësoheni kundërshtarëve, apo Vllaznia sheh vetëm veten e saj?
-Nuk ka asnjë frikë për kundërshtarët. Ne bëjmë lojën tonë, e rëndësishme është që të marrim sugjerimet e trajnerit dhe të bëjmë punën tonë, sepse jemi të gjithë profesionistë dhe kemi dëshirën e madhe për të dalë në Superligë.
Do të jetë Vllaznia në Superligë në fund të sezonit?
-Sigurisht. Me 100 për qind vitin tjetër ne do të jemi duke luajtur aty.
Hera e parë që vini në Shqipëri, cilat janë përshtypjet tuaja për këtë vend, për Shkodrën e për futbollin shqiptar?
-Po është hera ime e parë që vij në Shqipëri dhe jam duke e gjetur veten shumë mirë në Shkodër. Të them të drejtën jam surprizuar. Njerëzit këtu janë shumë të mirë, stadiumi është i mrekullueshëm dhe shpresa e qëllimi i vetëm është ngjitja në Superligë, sepse aty është futbolli i vërtetë.
Një mendim për futbollin shqiptar ngaqë në karrierën tuaj keni luajtur në shumë vende të Botës?
-Unë nuk e di si është niveli në Superligë, por në kategorinë e parë futbolli është pak agresiv. Luhet me forcë dhe përplasje dhe nuk bëhet shumë futboll teknik e taktik.