Lidsi ka surprizuar Mançester Sitin ditën e sotme, duke barazuar në shifrat 1-1. Megjithëse në fushë nuk pati asnjë triumfues, teleshikuesit nga shtëpia ishin ata që fituan më shumë nga kjo përballje. Argëtimi ishte i garantuar, teksa skuadrat tentuan plot 35 herë portën e njëra-tjetrës, përkatësisht 12 herë Lidsi dhe 23 herë Siti.
Në fund të takimit pati edhe një moment emocionues mes dy trajnerëve, të cilët janë përshëndetur për disa çaste me njëri-tjetrin dhe kanë shkëmbyer disa fjalë. Në intervistën e dhënë pas ndeshjes, Guardiola ka zbuluar edhe bisedën e bërë me Bielsën, i cili i ka kërkuar një mendim për lojën e zhvelluar.
“Ai (Bielsa) më pyeti: “Çfarë mendimi ke për lojën”? I thashë që pas 1 sekonde nuk jam i aftë të analizoj ndeshjen. Ndoshta ai është shumë më i zgjuar se mua. Unë nuk jam. Kam nevojë për kohë të proçesoj se si ishte ndeshja. Por ishte një lojë e mirë, ishte e drejtë dhe prandaj rezultati ishte ai që pamë”, ka thënë Pep Guardiola./Halit Delibashi-Sport Ekspres/