Bicaj: Në borxh me tifozët, qëndroj nëse Flamurtari më do

Mbrojtësi shtatlartë nuk e fsheh dëshirën për të vazhduar në Vlorë. Ai e quan mëkat faktin se skuadra kuqezi nuk shkoi në Kupat e Europës

Elton Nika

Në gjysmën e parë të sezonit, Flamurtari ishte ndër ekipet me mbrojtjen më të fortë dhe ky repart ndikoi direkt në pikët e marra për ta ngjitur skuadrën në vend të dytë, por më pas gjithçka u shpërbë në gjysmën e dytë të sezonit për shumë e shumë arsye. Ditmar Bicaj, mbrojtësi shtatlartë lezhjan, ishte një nga afrimet më cilësore të vlonjatëve. Ai zhvilloi një sezon të mirë në Vlorë dhe të ardhmen e lidh me Vlorën sërish, por në këtë kohë merkatoje për të po interesohen edhe disa skuadra të tjera.

SEZONI – Dëshira e lojtarit mbetet Flamurtari dhe gjasat janë të mëdha që bashkëpunimi të vazhdojë edhe sezonin e ardhshëm. “Nëse më pyesni për sezonin që sapo mbyllën, duhet të pranoj se është fatkeqësi që nuk jemi në vendet e para, ose më saktë që nuk përfaqësohemi në Kupat e Europës, – thekson Bicaj. – Nuk dëshiroj të përsëris asgjë nga ajo çfarë kemi thënë deri tani për shkaqet dhe problemet që sollën këtë situatë. Kemi zhvilluar një pjesë të parë mjaft të mirë të sezonit, pastaj për fat të keq erdhi ajo rënie për faktorë që tashmë dihen mjaft mirë. Por tani ka rëndësi të shikojmë përpara dhe ekipi të ketë një riorganizim sa më të mirë për sezonin e ardhshëm”.

E ARDHMJA “Në fillim padyshim që presim të njohim trajnerin e ri të Flamurtarit, por e kam thënë gjithmonë se në Vlorë dhe te Flamurtari jam ndjerë gjithmonë mirë, i vlerësuar dhe i përkrahur në çdo moment. Kemi një detyrim për skuadrën, qytetin, klubin dhe tifozët: ta çojmë Flamurtarin në Europë. Duhet të ndryshojmë sezonin tjetër dhe pavarësisht faktorëve të tjerë, duhet të jemi në vendet e kreut.

OFERTAT – “Është një periudhë merkatoje dhe në këtë moment nuk mungon interesimi nga skuadra të ndryshme. Kam pasur interes edhe nga Azerbajxhani apo Kroacia, por di të them se te Flamurtari jam ndjerë mirë dhe nuk ka pse të mos vijoj me të. Tani jam me pushime dhe do të shohim si do të rrjedhin ngjarjet. Në Shqipëri duan të jem te Flamurtari, këtë e kam deklaruar edhe para mbylljes së sezonit. Flamurtari është përparësi për mua, nuk dua të fsheh dëshirën të vijoj në Vlorë. Flamurtari është një skuadër, që ka historinë dhe fanellën e rëndë, ndaj na duhet që sezonin e ri të ngjitim në nivelin që i takon. Gjithsesi, të shohim çfarë do të ndodhë gjatë muajit qershor. Kur të mësojmë edhe emrin e trajnerit të ri, do të ketë diçka më konkrete”, – ka përfunduar Bicaj për Sport Ekspres.
Nga lojtarët e mbrojtjes, i sigurt duket qëndrimi i Veliut, por edhe rinovimi i maqedonasit Siljanovski. Nëse qëndron edhe Bacaj, ekipi mund ti duhet vetëm një qendërmbrojtës tjetër. Po ashtu, edhe pozicioni i Pollozhanit mbetet për tu parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *