Autori i golit të fitores të Flamurtarit është ndjerë i çliruar pas ndeshjes. Mbrojtësi Ditmar Bicaj vlerëson tri pikët dhe thekson se goli: “Jam lojtari i parë i afruar te Flamurtari këtë vit dhe më vjen mirë që isha unë ai që shënova golin e parë në stadiumin “Flamurtari. Ky kampionat nuk është aspak i lehtë, kjo duket qartë në çdo takim dhe kështu ishte edhe ndaj Kamzës. Kemi vuajtur disi në pjesën e parë për të gjetur hapësira në mbrojtjen kundërshtare, ndërsa në pjesën e dytë kemi qenë më mirë dhe kemi pasur dhe të tjera raste. Më vjen mirë për fitoren, por pse jo edhe golin, aq më tepër që e shënova unë, si një mbrojtës që jam. E rëndësishme mbetet të vijojmë në këtë rrugë, për të arritur edhe objektivat që kemi si klub. Goli natyrisht që më bën të jem më i çliruar, sidomos pas ndeshjes me Laçin, ku penalizova skuadrën me atë penallti, që mund t’i ndodhë çdo lojtari. Por tashmë jemi me meritë në vend të tretë dhe duhet të shohim ndeshje pas ndeshjeje”, tha Bicaj pas ndeshjes së mbrëmshme.