Një gol i shënuar nga Ditmar Bicaj në minutën e 83-të të ndeshjes I ka dhënë Flamurtarit një fitore shumë të vuajtur kundër Kamzës. Përfundoi 1-0, por mund të përfundonte pa fitues, në një sfidë ku goli doli me shumë vuajtje dhe ku në shtesë Kamza pretendoi për 11-metërsh.
Kuqezinjtë vinin nga 3 barazime rresht, duke protestuar ashpër sidomos për dy ndeshjet e fundit, ku disa vendime mjaft të diskutueshme shkuan të gjitha kundër skuadrës vlonjate.
Kundër Kamzës duhej fitorja, me çdo kusht, por presioni duket se i prishi sërish shumë punë skuadrës së drejtuar nga Shpëtim Duro. Në një stadium ku ishin disa mijëra tifozë, Flamurtari vuajti jo pak ndaj një Kamze shumë të organizuar dhe rastet ishin me pikatore.
Bushiç nuk ishte në ditën e vet më të mirë dhe nuk pati as fat, sepse humbi një rast i vetëm me Argent Halilajn, ndërsa ky i fundit duket se e kishte vendosur që të tregonte gjithë vlerat e tij, kundër ish-klubit të vet, prej ku u largua me polemika në verë.
Megjithatë, një ikje dritash për 5 minuta pranë fundit të takimit duket se ia qartësuan paksa idetë Flamurtarit, që i shtoi përpjekjet dhe me Bicajn gjeti golin vendimtar. Ironike që shënoi pikërisht qendërmbrojtësi shtatlartë, sepse ai mori karton të kuq ndaj Bylisit dhe ai shkaktoi edhe 11-metërshin javën e shkuar ndaj Laçit në Krujë. Autokritikë!
Në fund, Kamza pretendoi edhe për një 11-metërsh që në fakt duhej dhënë për prekje me dorë në zonë nga Siljanovski, por duket se arbitri nuk ka pasur guxim ta fishkëllejë, ndoshta edhe për faktin se në fillim të ndeshjes ishte Flamurtari që kërkoi penallti, që nga pamjet filmike duket se ishte. Polemika do të ketë pa fund, sepse Kamza u ankua edhe për një gol ta anuluar për faull ndaj portierit të Flamurtarit.
Stadiumi “Flamurtari”, Vlorë
Flamurtari – Kamza 1-0
Shënues: Bicaj 83′
Flamurtari: Nurkoviç, Siljanovski, Bicaj, Pollozhani, Musta, Useini, Hyseni (Hoxhaj 46′), Sidibe, Neziraj (Kamara 80′), Alvesh (Jakovljeviç 90’+1), Bushiç. Të gatshëm: Sali, Liçaj, Mersini, Tungara. Trajner: Shpëtim Duro
Kamza: Halilaj, Frashëri, Fushtar, Kuqi, Idrizaj (Zefi 90’+4), Ymeraj, Arrabal, Rezi (Mumajesi 85′), Fukui, Imeri (Plaku 60′), Raçic. Të gatshëm: Gjonikaj, Leo Lelis, Syziu, Mehmeti. Trajner: Ramadan Ndreu
Kartonë të verdhë: Bicaj 39′, Pollozhani 45’+1 / Raçiç 84′, Arrabal 90’+6
Gjyqtarë: Remzi Sadiku, Emigers Ganxhi, Edlir Malo, Fatjon Xhemalaj