Altin Lala ka dhënë një intervistë për “TVP Sport”, ku ka folur për karrierën e tij dhe për sfidën me Poloninë. Ish-kapiteni i Kombëtares tregohet modest, teksa pavarësisht asaj çfarë ka dhënë për fanellën kuqezi, sërish nuk e ndjen veten si një ikonë të ekipit tonë kombëtar. Sa i përket sfidës së sotme, Lala parashikon një fitore 1-0 për Shqipërinë, por është i mendimit se në fund të dyja këto Kombëtare do të kualifikohen në Europian.
“Luajta për një kohë të gjatë për ekipin kombëtar. U paraqita në 79 ndeshje për 14 vite. Jam i vetëdijshëm për popullaritetin tim, por nuk ndihem si një legjendë apo ikonë. Pata kohën time të mirë, luajta për një kohë të gjatë në Bundesligë. Por tani ne kemi lojtarë që performojnë më mirë se sa brezi im.
Futbolli në Shqipëri ka ndryshuar shumë. Kemi një ekip më të mirë, por gjithashtu edhe presidenti i Federatës sonë është një njeri me një vision të madh dhe i përkushton shumë energji. Ai është shumë i përqendruar te trajnerët dhe kjo sjell rezultate. Për më tepër, kemi shumë lojtarë të rinj në skuadër, shumica të lindur jashtë. Falë kësaj, ata janë të përgatitur më mirë për futbollin europian.
Kemi shumë kualitet në ekip. Secili nga 23 lojtarët luan në nivel të lartë. Armando Broja, Kristjan Asllani, Berat Gjimshiti dhe shumë futbollistë të tjerë luajnë në liga të forta. Mendoj se ne kemi një shans në këtë grup dhe tani kemi një ndeshje kyçe përpara.
Në letër ju (Polonia) keni ekipin më të mirë në këtë grup. Më të mirë se Shqipëria dhe Republika Çeke. Polonia është e aftë të bëjë shumë më tepër se ajo që ka treguar në raundet kualifikuese. Nuk e di pse, ju duhet të jeni duke bërë diçka gabim. Besoj te Shqipëria dhe mendoj se do të fitojë 1-0. Por unë pres që në fund të kualifikueseve, të dyja ekipet tona do të zënë dy vendet e para dhe do të marrin pjesë në Euro 2024 në Gjermani”, ka deklaruar Altin Lala./Sport Ekspres/