Sulmuesi flet me vlerësim maksimal për ekipin që është ndërtuar nga trajneri Duro. Ai zbulon se ka refuzuar një ofertë arabe për të vazhduar me fanellën kuqezi
Elton Nika
Golat janë detyra e tij. Do të jetë sulmuesi kryesor i Flamurtarit, lojtari që do të luajë më afër portës kundërshtare. Bashkë me Alveshin, Tomislav Bushiç do të udhëheqë skuadrën vlonjate drejt objektivave për një vend në Kupat e Europës në sezonin, që të gjithë e presin të jetë ndryshe, duke nisur nga administratori Sinan Idrizi. Kroati luan sezonin e dytë me fanellën e Flamurtarit, pasi fitoi besimin e drejtuesve të klubit dhe tifozëve gjatë sezonit të kaluar. Vendimi i tij për të qëndruar në Vlorë ishte një lajm mjaft pozitiv për ekipin kuqezi. Vetë sulmuesi parashikon një sezon të suksesshëm, duke iu referuar punës që po bëhet dhe grupit që është krijuar: “Ne dëshirojmë një sezon ndryshe nga ai i fundit. Fakti që jam këtu tregon vetë se ky qytet, kjo skuadër, këta tifozë dhe këta drejtues, kanë besim ndaj meje dhe ky fakt më gëzon pa masë. Shpresojmë të gjithë bashkë të bëjmë më të mirën për Flamurtarin. Presim një kampionat aspak të lehtë, duke parë se të gjitha skuadrat kanë bërë merkato dhe kanë objektivat e tyre, megjithatë kemi besimin maksimal se do të arrijmë objektivat e klubit. Objektiva do t’i përcaktojmë hap pas hapi, por minimalisht duhet të shohim për një vend në Kupat e Europës. Nga Flamurtari i sezonit të kaluar ka ndryshime, por e shoh skuadrën të fortë dhe cilësore, me frymë pozitive. Jemi njohur tashmë në lojë me njëri-tjetrin. Po bëjmë dy faza përgatitore dhe po punojmë me më shumë seriozitet për të qenë gati për sezonin e ri. Golat? Së pari dua të them se jam shumë i kënaqur që qëndroi në Vlorë Alvesh, por ka ardhur edhe e Hoxhaj e lojtarë të tjerë. E rëndësishme është që skuadra të fitojë. Mendoj se do të jetë një sezon mjaft i mirë për Flamurtarin”, – thekson Bushiç.
OFERTA – Para rinovimit në Vlorë, Tomislav Bushiç mësohet se ka pasur edhe një ofertë nga një skuadër e huaj, që e ka refuzuar. Vetë sulmuesi nuk dëshiron t’i japë rëndësi këtij fakti, por “Sport Ekspres” zbulon se kroati kishte një ofertë nga vendet arabe. Në fund ai zgjidhi Flamurtarin, pasi kishte dhënë fjalën që në fund të kampionatit të kaluar, edhe pse kishte lënë një mundësi largimi për në një kampionat të huaj. Bushiç i qëndroi besnik skuadrës vlonjate.
STËRVITJA – Vlonjatët ndërkohë po punojnë fort në Veria këto ditë. Stafi teknik i ka dhënë mjaft rëndësi përgatitjes së futbollistëve në palestër, pra anës fizike. Pasdite punohet më shumë me ushtrime me topin dhe gradualisht skuadra po ngjitet në formën e saj optimale. Pas miqësoreve të parashikuara në Greqi, Flamurtari do të jetë një ekip i konsoliduar dhe gati për një kampionat pozitiv.