Edmond Dosti, një figurë me histori të madhe te Partizani dhe që ende kujtohet mes tifozëve. Ishte viti 1992 kur të kuqtë do të luanin derbin e tyre ndaj Dinamos dhe pikërisht Dosti arrinte që të shënonte 4 gola përgjatë 90 minutave. Vetëm pak nga panorama që ofron një figurë i cili ka arritur sukseset në vitet e mëparshme, atëherë kur një lojtar duhej të stërvitej thuajse gjatë gjithë ditës për të bërë diferencën në fushën e lojës.
Ndryshe nga kohët e tanishme që gjithçka është thjeshtësuar për futbollistët, prandaj koha e legjendave mbetet gjithmonë për t’u kujtuar, për të mos lënë në harresë veprat dhe punën e bërë. Edmond Dosti feston datëlindjen në ditën e sotme, atje ku asnjëherë nuk mund t’i ndajë ngjyrat e Partizanit, një besnik i përjetshëm i fanellës që mbart histori.
I pari si futbollist për të shkuar tek topi dhe i pari jashtë futbollit për të kërkuar llogari tek drejtuesit sa herë që Partizani lëngon dhe nuk është në gjendje të mirë, aq sa edhe reagimet e tij mund të bezdisin disa persona pasi janë të shumta në numër. Por dhimbjen e Partizanit e ndien edhe më tepër, pasi lidhja e ikonave të tilla me klubin shkon përtej një kontrate të firmosur. Një dashuri e parë që zgjat në përjetësi, e tillë është ajo e Dostit me Partizanin. Dy gëzime që festohen në pak ditë për Dostin, pasi Zoti i bekoi edhe më fëmijën e tretë, Brendisin. /Sport Ekspres/