Lezhjanët janë gati për ndeshjen me Tërbunin në shtëpi. Synimi kryesor i tyre mbetet Superiorja
Bernard Gjikolaj
Besëlidhja të mërkurën ngriti siparin zyrtar të ndeshjeve për llogari të edicionit 2017-2018 të Kupës së Shqipërisë. Derbi në Shënkoll u mbyll me fitoren e pastër 0-2 të Besëlidhjes. Duke e lënë pas atë fitore, lezhjanët e drejtuar nga Anteu Pepaj tashmë po mendojnë për startin e kampionatit, aty ku kanë edhe synimin kryesor për t’u ngjitur në Superiore. Kampionatin Besëlidhja do ta nisë në Lezhë me ndeshjen ndaj Tërbunit, që po vlerësohet maksimalisht nga të gjithë, duke nisur nga trajneri Pepaj e deri te futbollisti më i fundit i stolit.
Ndonëse merkatoja e kësaj vere u duk disi e varfër, ku më shumë u panë teksa vinin futbollistë lezhjan të dalë nga moshat, ka pasur edhe ardhje cilësore, si dy guineasit Çeik Konte dhe Mus Bangura, të cilët vjet ishin pjesë e Pogradecit. Gjithashtu lojtarë me perspektivë janë edhe shkodranët Samet Bajri e Denis Dyca, të dy të dalë nga Akademi Vllaznia. Që të dy këta futbollistë ishin protagoniste në fitoren me Shënkollin, teksa sulmuesi Dyca shënoi golin e parë, ndërsa Bajri i priti penalltinë sulmuesin Ruben Danaj. Gjurmë la edhe Konte me golin e realizuar në fund të takimit.
Të shtunën lezhjanët e Besëlidhjes presin në shtëpi Tërbunin për llogari të javës së parë të kampionatit, ndeshje që lezhjanët janë të bindur se do ta fitojnë. Nisja e kampionatit me fitore shihet si mjaft e rëndësishme dhe skuadra e Pepajt po përgatitet për t’ia dalë me sukses në dy finalet e para në shtëpi, në sfidën e parë me pukjanët, ndërsa më pas me Besën e Kavajës.
LISTA E BESËLIDHJES PËR SEZONIN 2017-2018
Portierë: Elson Demi, Samet Bajri
Mbrojtës: Edison Ndreca, Klejdi Dibra, Olivier Dore, Niku Vocaj, Hysen Hidri, Çeik Konte
Mesfushorë: Isak Kamara, Samet Hepaj, Oumar Kamara, Rubin Met’hasani, Çeik Konte, Klevis Shquti, Florian Përgjoni, Robert Miloti, Lesidion Malaj, Erilando Lleshaj
Sulmues: Spartak Ajazi, Mus Bangoura, Kristian Frroku, Fabio Zhunior Gomes, Denis Dyca, Gentian Dushaj