Fatmir Efica
Besa është gati për kampionatin dhe në Kavajë po përgatiten për një sezon ndryshe. Meglid Mihani, para startit të ndeshjes së parë, ka pohuar: “Jemi prej disa ditësh në atë proces konsolidimi të formacionit dhe e them me kënaqësi, se kjo Besë jo vetëm që ka ndryshuar shumë, por do të jetë një nga kandidatet kryesore për rikthimin sezonin e ardhshëm në Superiore”. Mesfushori me shumë përvojë i Besës, Meglid Mihani, që veçmas rikthimit te pozita e kapitenit të ekipit, ka në dorë tërë “regjizurën” e manovrës së Besës në mesfushë. Mihani është optimist dhe i bindur se në fund të sezonit Besa e tij do të rikthehet aty ku i takon. “Dinamo është një kundërshtar që meriton respekt maksimal. Ka një histori të madhe sikurse edhe ne, plot vlera përfaqësimesh që dihen nga të gjithë. Mendoj se në jemi në gjendje ta fitojmë këtë ndeshje në fushë. Me mobilizimin tonë të jashtëzakonshëm dhe shkallën e lartë të përgjegjësisë që kanë futbollistët, stafi dhe për më tepër edhe tifozët. Do të luftojmë në fushë burrërisht. Duke respektuar dhe përmbajtur tërësisht normave të korrektesës, si në fushë ashtu dhe tribunat e spektatorëve, pasi Kavaja ka qenë e mbetet një ekip futbolli por edhe një qytetet që ka reflektuar vazhdimisht sportivitet maksimal, kulturë e qytetari”.
FORMACIONI – “Kemi një grup që ka marrë fytyrën e duhur të kompaktësimit. Pas seancës së sotme, që do të kryhet në ora 14:00 në stadiumin “Besa” për t’iu përshtatur edhe më mirë kushteve të terrenit, do të jetë edhe më e plotësuar ideja mbi formacionin që do të zbresë të dielën në fushë përballë Dinamos. Ajo që unë shpreh me siguri është se kjo sfidë e parë shtëpiake ndaj Dinamos nga ne do të përballohet me dinjitet të lartë dhe kemi synim të vetëm fitoren dhe të kënaqim me lojën tonë edhe sportdashësit e mrekullueshëm kavajas”, – mbylli rrëfimin e tij mesfushori Meglid Mihani.
Lista e federimeve të Besës
Portierë: Ariol Kaloshi, Marat Rexhepaj
Mbrojtës: Skerdian Perja, Erand Hoxha, Ervis Kaja, Besmir Kullolli, Denis Biba, Xhefri Bushi, Denis Brahimaj .
Mesfushor: Meglid Mihani, Aldrit Oshafi, Mirel Duka, Edmond Hoxha, Veton Shabani, Enea Isufi, Geri Selita.
Sulmues: Mario Morina, Tedi Cara, Aldo Dervishi, Emrush Kaloshi.