Besa e re, kjo është java finale!

Nga “rokada” në pankinë mes dyshes Sinella–Berati, te finalizimi i pritshmërive mbi përforcimet. Miqësorja me fierakët tregoi se ekipi ka nevojë për përforcime

Fatmir Efica

Që Besa e sezonit të ri do të jetë ndryshe nga ajo e tre viteve të fundit, kjo tashmë është qartësisht e kuptueshme. Edhe më skeptiku në Kavajë e ka të qartë se me rikthimin e presidentit Nexhat Bizhdili, i cili me eksperiencën e tij të madhe në afro 13 vite i ka dhënë Besës shumëçka, deri në prag të kampionatit të ri do të ketë edhe plot surpriza të tjera. Nga burime të sigurta mësojmë se kjo javë e re konsiderohet si finale mbi procesin e riformatimit të ekipit. Më së paku bindesh pas atyre lëvizjeve fillestare, sidomos në drejtimin e Besës. Lëvizje e fundit e bërë është ajo mes dyshes Sinella-Berati, që duket se kanë ndërruar vendet me njëri–tjetrin pas ndeshjes me Apoloninë barazuar në Kavajë të shtunën e kaluar 1-1.

SKUADRA – Rëndësi parësore merr tani te Besa konturimi i grupit. Në stërvitje aktualisht gjendet një numër i madh futbollistësh në provë. Seleksionimi i tretë dhe final nuk do të jetë i largët edhe për këtë kategori lojtarësh, që vjen të provojë fatin dhe aftësitë. Nisur nga deklaratat e para të bërë nga drejtuesit e rinj të Besës, që janë rikthyer në pozicionet e tyre tashmë, pak mundësi, për të mos thënë aspak, do të ketë në lidhje me lojtarët jabanxhinj që nuk kanë një CV-i bindëse të karrierës së tyre. Edhe për këta lojtarë të rinj, duket se kjo javë do të jetë tepër përcaktuese.

DEBUTUESIT – Në miqësoren e parë që Besa zhvilloi në Kavajë ndaj Apolonisë, ra në sy numri i madh i lojtarëve që debutuan për herë të parë me fanellën e Besës. Portieri Arjol Kaloshi, i ardhur nga Tomori, mbrojtësit Xhuljan Turhani nga Shkumbini, Xhefri Bushi nga Skënderbeu, Alvi Gjonaj po nga Tomori, që të gjithë luanin për herë të parë për Besën, ashtu si Elis Doksani e Ardit Oshafi së mesfushë, ndërsa në sulm ishte Aldo Dervishi. Debutimet e tyre, meqenëse u përfshinë që nga minuta e parë në formacion e në një farë mënyrë u konsideruan si “titullarë”, duhet pranuar që nuk ishin dhe aq bindëse. Megjithatë, konkluzioni më i qartë për drejtuesit mund të dalë pasi të shihen dhe në ndeshje të tjera miqësore. Në 45’ e dyta luajtën edhe Denis Taku e Elidion Mara, ndonëse në stol pati edhe lojtarë të tjerë që nuk luajtën karshi fierakëve, ndikuar mbase dhe nga rezultati i kësaj miqësoreje që Besa nuk arriti ta fitonte dot në fushën e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *