Berisha, Lacio dhe Shqipëria, sfida e dyfishtë me Strakoshën!

 

“Titit” gjen Thomasin përballë dhe ka një peng në Itali: “Këtu nuk të lënë të gjuash penallti. Por, Gasperini më ka premtuar një herë”

Etrit Berisha dhe Tomas Strakosha kthehen përsëri përballë tyre në Serinë A, në ndeshjen e fazës së dytë mes Lacios e Atalantës. Në sfidën e parë një ndeshje spektakolare, 3-3. Një ndeshje ku të gjithë kujtojnë takimin mes dy portierëve të kombëtares kuqezi, një përqafim dhe një mbishkrim në fanellë mjaft domethënëse: shqipe. Etrit Berisha ka luajtur për tre sezone me Lacion, duke u larguar më pas drejt Atalantës për t’i bërë vend në “Olimpico”, Tomas Strakoshës, pasuesi i tij dhe në kombëtaren shqiptare. Për Atalantën, Lacio paraqet një pengesë drejt Ligës së Evropës. Për Berishën një derbi.

– A keni frikë mos humbni vendin e titullarit në kombëtaren shqiptare?

– Për momentin jo, edhe pse Tomas – referenca për Strakoshën – po paraqitet shkëlqyer me Lacion.  Ai është e ardhmja e portës së  Shqipërisë. Ne kemi një raport shumë të mirë mes nesh, kemi dhe një stil të përbashkët: jemi konkretë dhe gati-gati të padukshëm. Mua nuk më pëlqen të bëj pritje spektakolare për fotografët. Kështu mendoj dhe për Tomasin.

– A duhet ndonjë britmë në adresë të shokëve të ekipit për t’i shkundur?

– Jo gjithnjë, varet nga rasti dhe nga vështirësia që paraqet një ndeshje. Të ulërish kot pa asnjë motiv nuk ka kuptim. Ndaj unë përpiqem të tregohem gjithnjë pozitiv.

– Berisha lacial…

– Për mua ka qenë një eksperiencë shumë e rëndësishme, thelbësore për të ardhmen time. gjithçka shkoi mirë në vitin e parë me Edi Rejën. Në sezonin e dytë e të tretë mendoja të gjeja më shumë hapësira. Mendoj se një portier duhet të luajë rregullisht për të pasur vazhdimësi dhe për t’u përmirësuar më tej.

– Çfarë ndeshje do të jetë kundër Lacios?

– Do të jetë një ndeshje e luftuar, sepse përballë do të jenë dy skuadra që kanë bërë një kampionat mjaft të mirë. Po marr si referencë dhe takimin e parë në Bergamo ku kemi barazuar 3-3.

– Cili është sulmuesi të cilit i druheni më shumë?

– Ai që do të mungojë në “Olimpico”, Çiro Imobile. Ai është një sulmues i kompletuar.

– E keni menduar ndonjëherë që të luani deri në moshën 40 vjeç?

– Pse jo. Nëse fiziku ta mundëson dhe dëshira për të qenë protagonist nuk të mungon gjithçka është e mundur.

– Cili është modeli juaj i portierit?

– Van der Sar, i gjatë, me reflekse të mrekullueshme, i shpejtë dhe i aftë në lojën me këmbë. Besoj se i ngjaj pak fizikisht. Ndërsa nga portierët në aktivitet që luajnë në Serinë A do të zgjidhje Samir Handanoviç. Nga ata që pritet të shkëlqejnë në të ardhmen do të vlerësoja Meret. Mos harroni se është shumë e ndërlikuar të bësh portierin në një skuadër që garon për mbijetesë. Në gabimin më të vogël që bën të masakrojnë.”

– Siç i ndodhi vetë të intervistuarit në takimin e kthimit në Ligën e Evropës kundër Dortmundit…

– Po gabova, por dita të reagoj pas atij gabimi. Tani jemi gati të kthehemi përsëri në Evropë, sepse na shijoi. Mendoj se në sezonin e ardhshëm do të jemi më të përgatitur, sepse kemi fituar një eksperiencë të vyer në këtë sezon. Mos harroni se jemi përballur me skuadra shumë të forta si Evertoni, Lioni, Dortmundi.

– Tek Shqipëria a ndihet ende efekti i pjesëmarrjes së parë në një kompeticion të rëndësishëm si Evropiani?

– Skuadra e sotme është në një fazë kalimtare, rindërtimi. Tifozët janë në pritje. Ata janë gati të të entuziazmojnë kur ke sukses, por të kthehen kundër kur gjërat nuk shkojnë mirë. Por është e vërtetë se ata kanë një krenari të theksuar dhe një ndjenjë përkatësie me kombëtaren gati të pabesueshme. Ndonjëherë ka shumë presion, më shumë nga ç’duhet. Kujtoj këtu ministrat e politikanët që i kishim në qafë para dhe gjatë Evropianit.

– Por Botërorin do ta shihni nga TV…

– Po si Italia. Me sa duket nuk jemi vetëm, kemi shoqëri të mirë… Thjesht duhet durim. Por në Botëror do të bëj tifozllëk për Zvicrën, sepse kam nj shok të ekipit te Atalanta, Frojler, por dhe shumë lojtarë të tjetër me origjinë shqiptare.

– Cilat janë ndryshimet ndërmjet De Biazit dhe Panuçit?

– Me Panuçin luajmë më shumë në sulm, që do të thotë se nga ana tjetër marrim më shumë rreziqe përsipër. Por fakti që kemi përsëri një trajner italian ka qenë një avantazh edhe jashtë fushe. Kuptohemi me të parë.”

– A është e vështirë të bësh portierin me Gasperinin?

– Gasperini aplikon një presing shumë të lartë dhe kjo të bën të jesh i përqendruar maksimalisht, nuk mund të bësh as gabimin më të vogël. Sigurisht që bëjmë një futboll ndryshe. Zotësia e një trajneri shihet nga ajo çfarë ai arrin të përçojë te ekipi.”

– Sa shpejt i keni mësuar sekretet e një mbrojtje me 3?

– “Ishte një risi për mua, sepse tek Lacio luaja gjithnjë me katër, me ndonjë përjashtim të rrallë.”

– Çfarë ju mungon që kur keni vënë këmbë në Itali?

– “Më mungojnë penalltitë (ka shënuar 4 në Suedi me Kalmarin). Për fat të keq këtu nuk ekziston kjo traditë e bukur si në Suedi për shembull. Në Itali portierët duhet të vetëm të presin. Por Gasperini më ka premtuar se do të më lejojë të gjuaj një penallti para fundit të kampionatit.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *