Stadiumi i ri “Air Albania” është inaguruar ndaj Francës, megjithëse jo me rezultatin e dëshiruar. Shqipëria ka humbur në shifrat 0-2 ndaj kampionëve të botës, falë golave të ardhur nga ana e Toliso dhe Grizman. Në pjesën e dytë kishte edhe një rritje te loja e kuqezinjëve pas futjes së Roshit dhe Memushajt, por pa arritur që të gjejnë golin.
Menjëherë pas ndeshjes, Etrit Berisha është shprehur se goli i parë i Toliso në minutën e 8 vendosi disi edhe historinë e takimit. “Ndeshjes iu futëm me qasje të mirë. Por mendoj se ai goli i parë i shpejt që morëm na “preu këmbët”. Pastaj kishim edhe një kundërshtar si Griezman, që lëvizte dhe nuk kishte asnjë rol konkret në fushë, duke na hapur probleme shumë të mëdha”, ka thënë Berisha për “RTSH Sport”. /Sport Ekspres/