Berisha: Borxhli De Biazit, pa të nuk ia dilnim

Portieri i Atalantës, Etrit Berisha, pësoi një dëmtim në ndeshjen kundër Evertonit, por nuk ka qenë asgjë serioze. Vetë ylli i kombëtares sonë, në lidhje direkte me “Zona Gol” në Supersport, ka folur për ecurinë e tij dhe Atalantës, por ka prekur edhe çështjen e kombëtares, duke thënë fjalë të mira për Xhani De Biazin, ai që e solli te Shqipëria.

“Mendoj se jam duke zhvilluar një paraqitje të mirë. Jam i gatshëm, ky lëndim nuk ka qenë diçka serioze, tani jam i gatshëm për ndeshjen e radhës. Kampionati italian është jashtëzakonisht i vështirë. Nëse nuk je i përqendruar dhe nuk e kërkon me ngulm fitoren, do jetë e vështirë. Tani ne, edhe pse jemi një skuadër cilësore, kemi lënë pikë. Luajmë në Europë dhe e kemi pasur pak të vështire, duke ngecur pak në kampionat. Në lojërat e ardhshme do jemi më mirë dhe do marrim më shumë pikë. Do jetë një kampionat i vështirë, janë shumë skuadra që luftojnë dhe kjo e ka bërë ligën më të fortë. Deri në fund nuk do të ketë favoritë absolut. Do jetë i bukur të shihet deri në fund”.

PENALIZIMI NGA EUROPA LEAGUE – “Mund të them që kemi në skuadër mjaft lojtarë të rinj, që nuk janë mësuar me këtë ritëm, të luajnë në kampionat dhe Europë. E thashë edhe më parë që Seria A është e vështirë dhe duhet mund i madh për të fituar. Edhe në Europa League kemi pasur një grup të fortë, çka ka sjellë të ngecim në kampionat dhe të humbim disa pikë. Me lojën e bërë kemi merituar më shumë. I kemi mundësitë të përmirësohemi në vazhdim, që në ndeshjen e ardhshme”

BORXHLI NDAJ DE BIAZIT – “Shqiptar, jam edhe unë shqiptar dhe normalisht jam gjaknxehtë. De Biazi ka bërë diçka të madhe me Kombëtaren tonë, u mundua të ndërtojë në skuadër dhe e bëri. Personalisht jam i kënaqur dhe mirënjohës për gjithçka ka bërë për mua dhe ekipin. Për mua ka qenë një ëndërr të përfaqësoj vendin. Po të mos ishte ai, nuk do ishte e mundur. Ai më pa, më besoi dhe është një gjë që unë nuk do ta harroj kurrë”.

GOLAT E PËSUAR – “Është e vërtetë që nuk jemi në mbrojtje siç kemi qenë vjet, po ashtu golat e shënuar kanë qenë më të shumë. Kemi ngecur paksa, por duke përmendur kalendarin e vështirë ka bërë që të ngecim. Skuadra është e përgatitur mirë, por në aspektin mental kemi çaluar, pasi nuk kemi mundur t’i marrim ato pikë që të paktën i kemi merituar”.

KALENDARI – Jemi të fokusuar më shumë te kampionati dhe duam të bëjmë mirë. Edhe pse kemi kalendar të vështirë, kemi kualitet dhe po bëjmë lojëra të mira. Tani do tentojmë të marrim edhe pikë. Fitorja me Evertonin na ka ndihmuar shumë psikologjikisht për të zhvilluar një kampionat më të mirë në Seria A.

TIFOZËT – “Janë fantastikë, ata na përcjellin kudo dhe është diçka që ne lojtarëve na bën të ndihemi mirë. Është nder i madh kur të mbështesin tifozë të tillë

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *