Berisha bllokon Runin, Atalanta magjike!

0

Në Rexho Emilia, spektakël i skuadrës bergamaske. Portieri kuqezi neutralizon ish sulmuesin e Junajtidit. Lioni befasohet në fund, Vijareali fiton dhe pa Bakën, ndërsa ka thatësirë në Grupin F

Një mbrëmje për t’u mbajtur mend gjatë. Rikthimi i Atalantës në Europë është magjik! Etrit Berisha, ndërkohë, vazhdon me bilancin e tij pozitiv në Europa League, ku tashmë janë plot 18 ndeshje dhe vetëm katër humbje. Fitoret, bashkë me atë të sotmen ndaj Runit & Co, pra Evertonit, kanë shkuar në plot 11 të tilla. Portieri i kombëtares, në pjesën e parë, duke llogaritur një gjuajtje të Uejn Runit, tepër të lehtë për ta bllokuar, ka qenë spektator pa pagesë në “Mappei Stadium” të Rexho Emilias, aty ku shumë tifozë atalantinë kishin udhëtuar për të mbështetur skuadrën.

https://www.youtube.com/watch?v=vGLxh3n1Z3k

Megjithatë, edhe në pjesën e dytë ka bërë një pritje të bukur ndaj sulmuesit të kombëtares angleze, duke konfirmuar edhe njëherë momentin fantastik që është duke kaluar. Një ndeshje, ajo e bergamaskëve, e zgjidhur në vetëm 45 minutat e para, me tri gola: Mazielo është ai që zhbllokon rezultatin, ndërsa dominimi i bluzinjve konkretizohet në 5 minutat e fundit të pjesës së parë, kur Gomez dhe Kristante gjunjëzojnë anglezët. Në pjesën e dytë, lodhja por edhe administrimi bëjnë që rezultati të mbetet në “akull” dhe fitorja të materializohet. Berisha ka marrë notën “7” pas kësaj ndeshje.

Sa i përket ndeshjes tjetër të grupit, bie në sy barazimi i Lionit në Limasol të Qipros. Skuadra franceze zhgënjen dhe del vetëm me një barazim 1-1 jashtë fushe. Depai shënon në pjesën e parë, por në fund të ndeshjes është Sardinero ai që hesht miqtë me një gol të bukur.

Grupi A – Slavia e Pragës fikson një fitore minimale me golin e veteranit Tomas Nesit ndaj skuadrës së Makabi Tel Avivit. Një takim i zgjidhur që në minutën e 12 dhe një ndeshje që nuk është se ka dhuruar shumë emocione. Sfida tjetër në Spanjë sheh fitues Vijarealin e Karlos Bakës, edhe pse ky i fundit ka qëndruar në stol për 90 minuta. Ish skuadra e Llullakut, Astana, ka bërë rezistencë për 75 minuta, teksa ishte fiksuar në 1-1 rezultati me Sansonen dhe Logvinenkon, por Bakambu dhe Çerishev vulosin trisin në “El Madrigal”.

Grupi C –  Fitore e befasishme e Bragës në Gjermani, përballë Hofenhaimit të Nagelsmanit, që vetëm disa ditë më parë mundi Bajernin e Ançelotit. Vagner ka realizuar një gol që ka hapur sfidën, por Teiksheira dhe Sousa kanë përmbysur gjithçka. Barazim pa gola dhe shumë pak raste në sfidën e luajtur në Stamboll mes ish skuadrës së Cikalleshit, Istanbul Bashaksehir dhe kampionëve të Bullgarisë, Ludogorets.

Grupi F – Thatësirë totale. Mund ta quajmë kështu mbrëmjen në këtë grup, ku të dy sfidat e luajtura nuk prodhuan asnjë gol. Në Kopenhagen, skuadra vendase ka barazuar ndaj Lokomotiv Moskës, teksa në Çeki, surpriza Zlin nuk shkoi më shumë se një 0-0 ndaj ekipit që eliminoi Kukësin në verë, Sherif Tiraspoli.

 

Atalanta-Everton 3-0

Shënues: Mazielo 27’, Gomez 41’, Kristante 44’

Atalanta (3-4-1-2): Berisha; Toloi, Palomino, Masiello (Kaldara 76’), Hateboer, Kristante (Kurtiç 84′), De Ron, Freuler, Kastanje, Petanja (Kornelius 80′), Gomez. Tr.: Gasperini

Everton (4-2-3-1): Stekelenburg; Holgate, Jagielka, Keane, Baines; Besiç, Shnederlin (Ramirez 66′), Runi (Klasen 66’), Vlasiç, Sigurdson, Kalvert-Leuin. Tr.: Koman

Gjyqtar: Bezborodov

Kartonë të verdhë: Mazielo, Sigurdson

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.