Berisha: Barazimi në Durrës si trepikësh, humbja nuk zihet në gojë

0

Shqiptaro-maqedonasi i Vllaznisë e vlerëson si shumë të rëndësishme transfertën durrsake, por mendon se nuk mbaron gjithçka me këtë përballje, sepse kampionati ka edhe plot ndeshje të tjera po aq të rëndësishme në vazhdim

Gaspër Marku

Vet kundërshtari që kishin përballë, si një ekip që ka humbur çdo shpresë për qëndrimin në Superiore gjatë ditëve të pragndeshjes kishte krijuar një opinion në masën sportdashëse të Shkodrës, që Vllaznia do ta kishte krejt të lehtë ndaj Lushnjës. Megjithatë, nën gjykimin e shqiptaro-maqedonasit të Vllaznisë, Sedat Berisha, ekipi kuqeblu nuk ka pasur kurrsesi asnjë nënvleftësim në këtë drejtim. Sipas tij, skuadra shkodrane e ka vlerësuar këtë ndeshje njëlloj si të tjerat. Shqiptari në një intervistë të gjatë flet për Shkodrën, Vllazninë dhe çfarë pret nga ky sezon, që po mban në ankth gjithë popullin kuqeblu.  

-Lushnja u mendua dhe ishte një ndeshje shumë e lehtë?

Kur kemi filluar përgatitjet nuk pamë nëse Lushnja është skuadër e dobët apo e fortë. Si me të gjithë ekipet e tjera e morëm me shumë seriozitet punën. Nuk e menduam aq të lehtë, sepse Lushnja ishte pa presion, kurse ne dihet se si e kemi situatën, dhe për këtë ndeshje, mobilizimi ishte maksimal. Është e drejtë që patëm edhe pak fat, sepse çdo shans që patëm në portën kundërshtare e realizuam.

– Si është të luash tek Vllaznia?

Në dy ndeshjet e para e kam pasur problem ambientimin me skuadrën. Dalëngadalë filluam të njihemi më mirë më njëri-tjetrin, si me grupin e lojtarëve që kemi ardhur në janar, por edhe me pjesën tjetër të lojtarëve.

-Ama ambientimi nuk paska qenë i lehtë?

Me thënë të drejtën erdha tek Vllaznia, se kur isha tek Shkëndija mendoja të shkoj diku më lart. Ndoshta në një kampionat Europian. Më parë kisha kaluar edhe përvoja të tjera, si në Turqi, në Kuvajt për një sezon, dhe prapë kthim tek Shkupi. Këtu në Shqipëri kisha edhe disa oferta, por kur më erdhi kjo e Vllaznisë, mendova, që sa më shpejt ta konfirmoja kontratën dhe të firmosja për Vllazninë. Kam pyetur si fillim, disa kolegë që kanë luajtur më parë në kampionatin shqiptar dhe për Vllazninë. Ata më treguan se qyteti i Shkodrës, jeton me Vllazninë. Nuk jam aspak i zhgënjyer. Njerëzit janë shumë mikpritës. U jam shumë mirënjohës, si në stadium dhe jashtë stadiumit.

-Dëshironi të qëndroni edhe më shumë në Shkodër?

Kontrata e ime me Vllazninë është deri me 31 dhjetor dhe normal që kryesorja është që të kalojmë këtë fazë delikate ku jemi. Meqë  jam ambientuar, do të ulem së bashku me drejtuesit dhe do të bisedojmë për vazhdimësinë time tek Vllaznia.

-Goli i Sukajt, një nga ata që rrallë herë shihen nëpër fushat e futbollit?

Ishte një gol për t’u mbajtur mend. Na habiti të gjithëve. Këta gola vetëm lojtarë të mëdhenj i shënojnë. Nuk u çuditëm shumë me Xhevahirin, sepse edhe në stërvitje ai arrin të shënojë gola vështirë. Kam luajtur me Shkëndijën e Tetovës në fillim të karrierës dhe më pas edhe në Turqi, por kësisoj lloj goli nuk kam parë ende, ndaj u gëzuam shumë se ishte perfekt nga ekzekutimi. Edhe Ribaj është një futbollist i mirë, i cili punon shumë në stërvitje. Priti shansin dhe shënoi dy gola ndaj Skënderbeut si dhe një ndaj Lushnjës. Aq gola i duhen një sulmuesi sa të marrë veten. Dhe mendoj se Ribaj po vazhdon në atë formën e tij të mirë.

-Teuta është ndoshta ndeshja më e vështirë e sezonit?

Normal që me Teutën jemi konkurrentë, kurse këtë ndeshje do ta marrim ashtu siç i kemi pasur edhe ndeshjet e tjera. Do të mundohemi të luajmë sa më mirë dhe të zbatojmë detyrat që na jep stafi dhe trajneri. Nuk është se vendos gjithçka kjo ndeshje, pasi ka edhe shumë të tjera më pas, por me formën e mirë sportive që kemi, mendoj se do të marrim rezultat pozitiv.

-Nëse Vllaznia humbet…

Vetëm humbjen nuk duhet ta mendojmë. Trepikëshi si dhe barazimi është fitore për ne. Skuadrat e tjera, si Kamza dhe Flamurtari, janë tashmë nën presion. Ne po u afrohemi në renditje dhe si skuadër do të luajmë edhe kundër këtyre ekipeve. Synojmë të ngjitemi sa më lart në tabelën e klasifikimit.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.