Në Gjermani çështja e ditës është ngjarja në ndeshjen e Kupës së Gjermanisë, kur drejtori sportiv i Lajpcigut, Ralf Rangnik, i shkoi nga pas arbitrit të ndeshjes në përfundim, për t’i treguar në telefon rastin e një penalltie në favor të Lajpcigut.
Federata Gjermane (DFB) ka hapur një hetim dhe i ka kërkuar Rangnikut të paraqesë një raport me shkrim deri javën e ardhshme, para se të merret një vendim, që mund të jetë i rëndë, deri në disa muaj përjashtim nga stadiumi.
Rangnik e justifikoi kështu veprimin e tij: “Është normale që të flasim me zyrtarët e ndeshjes në situata të tilla, unë bisedova qetësisht me të, nuk kisha asnjë qëllim tjetër, edhe pse natyrisht do ishte më mirë që atë bisedë ta bënim larg kamerave, në brendësi të ambienteve të stadiumit”.
Megjithatë, kritikat ndaj tij ishin të shumta dhe mbrojtësi i Bajernit Mats Humels deklaroi: “Nuk ka kuptim kjo gjë, nuk mund të shkosh tek arbitri me telefon në dorë për t’i treguar episodet e ndeshjes”.