Në vend të Shpëtim Duros, ende i pezulluar, pas ndeshjes kundër Lushnjës foli zëvendëstrajneri i Flamurtarit, Jeton Beqiri, i cili në Supersport analizoi fitoren disi të vuajtur, që u arrit me dy gola në 25 minutat e fundit të ndeshjes. Për Beqirin është e vërtetë që goli në Vlor po del disi me vuajtje, por me Muarem dhe disa lojtarë të dëmtuar, priteshin disa vështirësi.
“Çdo fitore ka rëndësinë e saj, sot morëm tre pikë shumë të rëndësishme. Ndeshje të tilla nuk janë të lehta për t’u përgatitur, por qëllimi ynë ishte të mbronim vendin e dytë dhe ia dolëm, edhe pse vinim nga një kalendar mjaft problematik, duke shpenzuar shumë energji në ndeshjet e shkuara, sidomos ndaj Partizanit. Kemi pasur disa probleme me lojtarët, Muarem ka pësuar një dëmtim të lehtë, po ashtu Tunkara e Zhufo. U munduam të mos rrezikonim me Danilo Alvesh, që gjithashtu ishte në formë jo të plotë fizike. Tani duhet të shohim nga ndeshja në ndeshje që të marrim maksimumin.
“Sidibe? Është një ndër pikat më të forta në skuadër, një lojtar mjaft cilësor, zbulim në këtë kampionat. Megjithatë, kemi edhe lojtarë të tjerë në mesfushë që po luajnë në nivel të lartë, si Useini e Zuka, ndërsa presim që të vijë në formën optimale edhe Muaremi, pasi na duhen sa më shumë lojtarë në formë të plotë, duke parë kalendarin e ngjeshur në vazhdim.
“Probleme për të shënuar në Vlorë? Është e vërtetë, shprehemi më lehtë jashtë fushe, na mungon pasimi i fundit në disa ndeshje, por po na mungojnë edhe njerëzit e pasimit të fundit, duke nisur nga Muarem, ndaj shpresojmë që ta rregullojmë sa më shpejt këtë problem”.